Histori Zbulohet fytyra “e vërtetë” e Kleopatrës së Egjiptit

Zbulohet fytyra “e vërtetë” e Kleopatrës së Egjiptit

Një statujë e re e gjetur në vendin e varrit të Kleopatrës besohet se tregon “fytyrën e vërtetë” të mbretëreshës egjiptiane.

Arkeologia Kathleen Martinez, e cila ka qenë në kërkim të varrit të saj për gati 20 vjet, zbuloi artefaktin e mermerit bashkë me një ekip egjiptiano-domenikan që kreu gërmime pranë Aleksandrisë.

Arkeologia Kathleen Martinez

Statuja e një gruaje të stolisur me një kurorë mbretërore u zbulua mes disa sendeve të tjera magjepsëse në vendin antik në bregun verior të Egjiptit.

Martinez beson se statuja përshkruan “fytyrën e vërtetë” të Kleopatrës VII, e cila sundoi nga viti 51 deri në 30 para Krishtit. Megjithatë ekspertë të tjerë nuk janë të bindur, pasi tiparet e fytyrës të shfaqura në copën e mermerit ndryshojnë nga përshkrimet e bëra deri tani për mbretëreshën e famshme. Disa besojnë se statuja përshkruan një princeshë tjetër nga dinastia Ptolemaike.

Statuja e bardhë prej mermeri, së cilës i ka mbetur vetëm koka, portretizon një grua me buzë të mprehta dhe flokë të gërshetuar rreth kokës. Ndër objektet e gjetura së fundi pranë saj kishte llamba vaji, enë gëlqerore, statuja bronzi dhe qeramikë rituale.

Ekipi gjeti gjithashtu një statujë gjysmë të gjatë të një mbreti të veshur me mbulesën e kokës së faraonëve Nemes, 337 monedha, shumë me imazhe të Kleopatrës dhe një amuletë skarabi me mbishkrimin “Drejtësia e Ra u ngrit”. Zbulime të tjera në këtë vend vitet e fundit kanë qenë një mumje 2000-vjeçare me një gjuhë prej ari.

Artefaktet u zbuluan në tempullin Taposiris Magna, nën murin jugor të perimetrit të tij të jashtëm. Besohet se ky është vendi i fundit i prehjes së Kleopatrës, e cila sipas ekspertëve është varrosur me të dashurin e saj fatkeq, Mark Antony pas vetëvrasjeve të tyre.

Shtatorin e kaluar, arkeologët menduan se kishin identifikuar vendndodhjen e fshehur të kriptës në të cilën ata thonë se ata janë varrosur së bashku. Arkeologu egjiptian Zahi Hawass thotë: “Varri i humbur prej kohësh i Antonit dhe Kleopatrës do të zbulohet më në fund. Vendi i varrimit vlerësohet të jetë në rajonin e Taposiris Magna, 30 km larg Aleksandrisë”.