Politika Berisha nis fushatën: Çmimin e naftës do e bëjmë më të ulëtin...

Berisha nis fushatën: Çmimin e naftës do e bëjmë më të ulëtin në rajon

Sali Berisha zotohet se pas ardhjes së demokratëve në pushtet shqiptarët do të paguajnë çmimin më të ulët të naftës në rajon. Në një bashkëbisedim me pensionistë nga Elbasani, kreu i demokratëve tha se Shqipëria renditet në 4 vendet me çmimin më të lartë të naftës në botë.

“Problemi është se Rama taton çdo litër naftë 1.1 euro, dhe ky është tatim që nuk ekziston në 1.1 dollarë shitet nafta në stacionet e pompimit në SHBA. Ne naftën detyrimisht do ta kemi në minimumin e mesatares së çmimit rajonal, po si mund ta ketë Kosova 40-50% më lirë që e merr nga Durrësi e me kamionë nga Selaniku?!”

Nën qeverisjen 12-vjeçare të Edi Ramës thotë se pensionistët janë kategoria më e shfrytëzuar. Berisha premton një skemë të re shpërndarjeje që nis me rritje pagash e pensionesh.

“Po është krim të mos rriten pensionet. Sot çdo pensionist paguan energjinë njësoj si ata që marrin 7 mijë euro në shtet. Ne do bëjmë përshkallëzim, proporcionim të plotë të energjisë, të ujit dhe shërbimeve. Do bëhet një shpërndarje krejt tjetër. Do vendosim rrogën minimale 500 euro si fillim, rrogën mesatare 1200 euro.”

Me shqetësim Berisha foli edhe për pastrimin e parave të drogës e krimit që tha se po bëhet me bekimin e qeverisë në sektorin e ndërtimit.

“I keni parë ju kullat në Tiranë? Pyesni sa përfitojnë nga këto kulla. Ato janë bosh të gjitha sepse droga, trafiku i blen me kate. Po çfarë ndodh? Ato kanë rritur çmimet, e kanë bërë apartamentin mollë të ndaluar për fëmijët tanë. Duhet të punojë nga 70 deri 100 vjet për të blerë një apartament në Tiranë.”

Dy janë armët që shqiptarët mund të rrëzojnë atë që Berisha e cilëson diktaturë e Edi Ramës.

“Duhet të krijojmë të dashur miq frontin më të gjerë për t’u ndarë me këtë diktaturë. Ne jemi të mosbindjes civile.”

Takimet e Berishës vijnë në kuadër të prezantimit të programit ekonomik të demokratëve për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.