Kryesore “Në gjendje të varfër, por me dinjitet”, flet shqiptarja që filmoi Parashqevi...

“Në gjendje të varfër, por me dinjitet”, flet shqiptarja që filmoi Parashqevi Simakun në SHBA

“Ishte në gjendje shumë të varfër, por me dinjitet të fortë dhe gëzonte shëndet të plotë”, kështu shkruan për Parashqevi Simakun, emigrantja shqiptare në SHBA, Elvira Tata e cila ka publikuar së fundmi një video të ikonës së muzikës shqiptare në Amerikë.

Në pamjet e bëra publike, Parashqevi Simaku shfaqet duke komunikuar me shqiptaren, të cilës i thotë se e ka të vështirë të flasë shqip, megjithatë në bisedën mes tyre nuk mungojnë fjalët në gjuhën amtare.

“Për të gjithë miqtë e mi, jua shuajta pak atë kureshtjen për Parashqevinë. Ajo ishte në gjendje vërtetë të varfër, por me një dinjitet të fortë dhe gëzonte shëndet të plotë. Kjo video e shkurtër pasi bëra shumë video së bashku do t’ju tregojë që është një grua vitale e mençur dhe me shumë dritë”, shkruan Elvira Tata në “Instagram”.

Në videon e publikuar, Parashqevi Simaku mes buzëqeshjes së pashuar në fytyrë tregon nga vjen: Ne shqiptarët jemi ajo që ka mbetur nga Roma, Greqia, Perandoria Austriake… Disa prej nesh kanë ardhur që nga koha e Skënderbeut atje. E keni ruajtur atë traditën austro-hungareze. Ata qeshin, duken rrezatues, nuk e njohin vuajtjen dhe të keqen.

Kur pyetet për adresën apo numrin e celularit, Parashqevi Simanku shprehet se mund ta kontaktojnë në Facebook: Më shkruaj në Facebook. Më gjen aty. Do të shohësh fotot e mia, familjen time, gjithçka është aty.

Videoja më e re ku shfaqet Parashqevi Simaku ka ardhur pas asaj që mori vëmendjen e mijëra shqiptarëve, pamjet e transmetuara në kanalin ABC7 në New York.

Artistja shumë e dashur për të gjithë iku në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1992. Atje u martua dhe lindi një djalë, por pas disa vitesh në jetën e saj ndodhi divorci. Pikërisht kjo disfatë në jetën e saj, e largoi pa gjurmë edhe nga familja.