Ekonomi PS propozon shtyrjen e afatit të “investimeve strategjike” deri në vitin 2026

PS propozon shtyrjen e afatit të “investimeve strategjike” deri në vitin 2026

Dhermi - Foto ilustruese

Me një projektligj të firmosur nga deputetja e Vlorës, Pranvera Resulaj, mazhoranca po përgatitet të shtyjë afatet e ligjit për “Investimet Strategjike” deri në dhjetor 2026. Afati që skadon në 31 dhjetor të këtij viti, socialistët propozojnë ta shtyjnë me dy vite të tjera, me argumentin se ka ende shumë kërkesa për investime madhore në sektorët strategjik të vendit dhe jo vetëm.

Më pak se tre javë përpara përfundimit të afatit, 31 dhjetori 2024, qeveria kërkon t’i japë edhe një shans tjetër bizneseve që duan të marrin statusin e “investitorit strategjik”.

Një nismë e deputetes socialiste, Pranvera Resulaj e depozituar në parlament synon që afati për ligjin e investimeve strategjike të shtyhet për më 31 dhjetor 2026.

“Duke qene se interesi i subjekteve është ende shume i lartë për këtë paketë ligjore, fluksi dhe stoku i investimeve të huaja në vend janë në shifrat më të larta krahasuar me 10-vjeçarin e fundit dhe me qellim shmangien e krijimit të këtij boshllëku ligjor si dhe te pasojave qe mund te krijohen prej tij, është menduar zgjatja e afatit të paraqitjes së kërkesave deri me datën 31 dhjetor 2026.”

Një tjetër propozim i deputetes Resulaj është edhe dhënia e statusit investitor strategjik edhe atyre bizneseve që propozojë projekte investimi në sektorë që nuk janë caktuar si strategjikë në ligj.

“Statusin “investitor strategjik” e përfitojnë gjithashtu investitorët apo projektet investuese, për të cilat pavarësisht se nuk janë parashikuar te realizohen ne një nga sektorët e përcaktuar ne pikën 1, te këtij neni, parashikohet qe vlerën totale te kapitalit investues te projektit ta kenë të barabartë ose më e madhe se 50 milionë euro dhe pasi te kenë marre miratimin paraprak te ministrisë së linjës.”

Kjo është nisma e dytë ligjore brenda këtij viti për zgjatjen e afatit të këtij ligji që është miratuar për herë të parë në vitin 2015, pasi në janar të këtij viti ishte deputeti Eduard Shalsi që kërkoi afat deri në 2027-ën, por vetë socialistët e zbritën për në fund të këtij viti.

Ligji i cili u miratua si një masë e përkohshme ligjore në vitin 2015, ka shkaktuar debate dhe kritika për mënyrën e zbatimit si dhe për rrethin e përfituesve. Sipas ekspertëve të ekonomisë ka favorizuar një grup oligarkësh si dhe ka cenuar pronën private, duke nxitur konflikte sociale.

Vendimet e miratuara nga Komiteti i Investimeve Strategjike, që drejtohet nga kryeministri Edi Rama, i kanë ofruar ‘investitorëve strategjikë’ qindra hektarë tokë publike përmes kontratave të qirasë 1 euro, infrastrukturës ndihmëse; si furnizim dhe përshtatje të rrjetit elektrik, furnizim me ujë të pijshëm dhe përfitime të tjera.

Edhe pse qëllimi i deklaruar ishte thithja e investimeve të huaja deri më tani ky ligj ka ‘shpërblyer’ shumë biznesmenë shqiptarë apo persona të afërt me qeverinë.

Rasti më flagrant është ai i dhënies së statusit “investitor strategjik’ për biznesmenin Artan Gaçi, bashkëshort i deputetes socialiste Olta Xhaçka dhe miratimin nga qeveria të dhënies në përdorim të brigjeve të detit për kompaninë e tij, duke ngritur shqetësime për një konflikt interesi dhe favorizim të njerëzve në pushtet.