Aktualitet Atentati ndaj shqiptarëve në Athinë, marrin kthesë hetimet

Atentati ndaj shqiptarëve në Athinë, marrin kthesë hetimet

Viktima Irakli Davella

Detaje të reja kanë dalë nga hetimet rreth atentatit të një dite më parë në Greqi, ku mbeti i vrarë 47-vjeçari Irakli Davella dhe u plagos 46-vjeçari Edi Lulo.

Sipas burimeve nga policia greke, objektiv i atentatit ishte Edi Lulo.

Pas komunikimit me autoritetet shqiptare është vërtetuar se identiteti Edi Lulo është i ndërruar. Policia greke ka siguruar identitetin e vërtetë të shqiptarit, i cili quhet Edmond Hysa rezulton i dënuar në Greqi për ngjarjen e vitit 2011, ku u mbajtën peng disa punonjës në Dhomën e Avokatëve të Athinës dhe nën kërcënimin e armëve u grabitën 405.000 euro.

Bashkë me këtë ngjarje ai u akuzua edhe për grabitje të tjera, si një rast një klinikë mjekësore në Pagrati të Athinës ku u grabitën pajisje me vlerë 110.000 euro. Ai u dënua nga drejtësia greke. Pasi kreu burgun, mësohet se u riatdhesua në Shqipëri.

Kohët e fundit jetonte në Dubai dhe në datën 9 dhjetor ka ardhur në Greqi me identitetin Edi Lulo. Me këtë identitet rezulton i regjistruar edhe në Shqipëri, ku rezulton edhe pronar i një biznesi në Durrës.

Burime bëjnë me dije se nga ana e policisë greke janë mbledhur disa të dhëna që mund të çojnë në identifikimin e autorëve. Nga komunikimi me policinë shqiptare është mësuar se Edi Lulo në Shqipëri konsiderohet një personazh i rëndësishëm dhe për këtë po mblidhet informacion edhe për konfliktet e tij por edhe për arsyen e ardhjes në Greqi.

Mësohet se para ngjarjes Edi Lulo dhe Irakli Davella po pinin kafe bashkë me dy persona të tjerë. Njëri ishte çuar më para nga tavolina, ndërsa ngjarja ka ndodhur kur Lulo, Davella dhe personi i tretë po shkonin për tek automjetet e tyre.

Sapo kanë nisur të shtënat, personi i tretë është larguar dhe po kërkohet ende nga policia për të dhënë dëshmi.