Video e Parashqevi Simakut e publikuar të premten fillimisht nga gazetari Blendi Fevziu në Instagramin e tij, bëri bujë gjatë këtyre ditëve teksa shumë shqiptarë që jetojnë në SHBA u ofruan të gatshëm për ta ndihmuar.
Në emisionin ‘Opinion’ mbrëmjen e sotme, drejtuesi dhe gazetari Blendi Fevziu foli për këtë rast, duke treguar ëndrrat e Parashqevi Simakut për të shkuar në Hollivud, duke nisur me largimin e saj nga Shqipëria drejt SHBA në vitin 1991.
Fevziu kujtoi edhe takimin e fundit në SHBA me Parashqevi Simakun në vitin 1995.
Blendi Fevziu thotë se ka qenë në dijeni se si kishte marrë rrjedha e jetës së Simakut, që kulmoi me divorcin e saj me ish-bashkëshortin libanezo-amerikan. Pas divorcit, gjykata amerikane i dha kujdestarinë e djalit ish-bashkëshortit dhe jo këngëtares shqiptare. Kjo ishte dhe goditja fatale për Parashqevi Simakun.
“Nuk kam dashur të publikoj më shumë materiale. Pse? Parashqevi Simaku u largua në SHBA në një moment dramatik për jetën e saj. Ajo vendosi të ndiqte ëndrrën amerikane. Nuk është e lehtë për askënd. U drejtua drejt hollivudit. U martua me një libanezo-amerikan, me një kitarist. Me të pati dhe një fëmijë. Martesa e saj nuk shkoi mirë. Ka shumë detaje mbi divorcin e saj, mbi procesin gjyqësor që ju bë. Nuk do doja të jepja asnjë nga këto sepse gjithsesi janë informacione personale. Gjykata vendosi që djalin nuk do ta mbante Parashqevi Simaku, por bashkëshorti i saj. Humbja e djalit qe traumatike për Parashqevi Simakun. Menjëherë pas humbjes së djalit, ajo humbi kontaktet me të afërmit, kontaktet me miqtë, u largua nga shtëpia e saj, nuk identifikohej ku gjendej. Për 4 vjet ka jetuar në një qendër hebraike ku qëndrojnë njerëzit e pastrehë. Pas 4 viteve është larguar prej andej. Adresa e fundit e tregonte në Los Anxhelos”, u shpreh Fevziu.
Gazetari theksoi se ish-bashkëshorti nuk pranon asnjë telefonatë në lidhje me Parashqevi Simakun. Teksa kjo e fundit, sipas Fevziut, është shprehur se “pret djalin”.
“Që prej 10 vjetësh fle ku mundet, nëpër rrugë, stacione treni, në zona të ndryshme, ku shumë shqiptarë e kanë identifikuar. Disa prej tyre dhe miq të saj herë pas here e takonin për t’i dhuruar diçka. Ajo e kishte marrë atë vendim si një zgjedhje të sajën, jo si pamundësi. Shumë njerëz kishin shkuar për t’ja ofruar ndihmën dhe ajo e kishte refuzuar. Ajo kishte vendosur ta bënte këtë jetë në një moment traume për arsye të humbjes së fëmijës. E vetmja fjalë që ju ka përsëritur të gjithëve është ‘po pres të më sjellin djalin’. Historia e saj është e një vendimi që kishte marrë në jetën e saj”, theksoi Blendi Fevziu.
Pas publikimit të videos nga Fevziu, në fundjavë e gjeti një zonjë që jeton në SHBA prej 10 vitesh, Elvira Tata, e cila arriti të bisedonte me Parashqevi Simakun në anglisht e më pas në shqip.