Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë çeli sot garën për ndërtimin e hekurudhës, e cila lidh Shqipërinë me Malin e zi, një vend me të cilin vendi ynë ndan historinë, traditat e përbashkëta dhe aspiratën e madhe për t’u bërë sa më parë anëtarë të BE-së.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot në ceremoninë për çeljen e garës, ku i pranishëm ishte edhe ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato se kjo hekurudhë e bën Shqipërinë pjesë të korridoreve paneuropianë.
“Një gur tjetër i themelit vendoset në hekurudhën shqiptare pas progresit shumë të mirë që kemi në ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës, me segmentin totalisht të ri të hekurudhës që bën lidhjen me Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit”, deklaroi ajo.
“Është një linjë hekurudhore me gjatësi 120 km, që nis në Vorë dhe përfundon në Han të Hotit dhe parashikohet që të ndërtohen apo rindërtohen 12 stacione. Kjo hekurudhë, do të ketë 12 ura dhe ka dhe një tunel të vendosur në zonën e Lezhës me gjatësi 320 m. Nga ana tjetër shpejtësia e kësaj lindje hekurudhore parashikohet 120 km/h”, tha Balluku më tej.
Gjithashtu, ajo informoi se në bazë të studimit të fizibilitetit rruga nga Vora në Han të Hotit do të përshkohet për 2 orë mesatarisht. Nga ana tjetër do të ketë një fluks vjetor prej 2,3 milionë pasagjerësh dhe 900 mijë tonë ngarkesa mallrash në vit.
Balluku theksoi se ndërtimi i kësaj linje ka ndikim jo vetëm në zhvillimin ekonomik e social të vendit por edhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Vënia në funksion e linjës Vorë-Hani i Hotit pritet të jetë edhe me ndikim të rëndësishëm social e ekonomik, pasi në fazën e ndërtimit të kësaj hekurudhe parashikohet të angazhohen për tu punësuar 1 mijë persona. Ndërkohë që në fazën e operimit parashikohet që numri i punonjësve të jetë vetëm në këtë linjë 100 persona”, tha ajo.
Balluku foli dhe për përfitimet kryesore të këtij projekti duke nisur nga rritja ekonomike nga përmirësimi i infrastrukturës në zonën e projektit, përmirësim të cilësisë së jetës së popullatës në zonën e shërbimit duke siguruar akses në shërbime të sigurta e besueshme të transportit të pasagjerëve, si dhe ulje të kostove për transportin për qytetarët dhe mallrat.
Zv/kryeministrja Balluku po ashtu theksoi edhe ndikimin që ka ky transport në mjedis, një ndër arsyet sipas saj, pse nxitet edhe nga BE për të gjitha vendet përmirësimi dhe rehabilitimi i këtyre linjave.
Kosto për ndërtimin e kësaj linje hekurudhore, bëri të ditur Balluku, llogaritet 370 milionë euro, ku 50 % e këtij financimi vjen në formën e grantit, i cili theksoi Balluku, është një nga grantet më të mëdha që vendi ka marrë, bazuar në politikat e BE-së për të nxitur sa më shumë transportin hekurudhor.