Anulimi i gjobave i nga 1 janari 2015 në nëntor 2024, për Partinë Demokratike është i pamjaftueshëm dhe propozon ndryshime në projektligjin për anulimin e gjobave, i cili ka kaluar në komisione. Sipas grupit parlamentar duhet të anulohen edhe gjobat për energjinë elektrike dhe ujin.
Në propozimet e PD është edhe anulimi i gjobave të Policisë dhe kamatvonesave për shtresat në nevojë, duke përfshirë pensionistët, familjet me ndihmë ekonomike dhe personat me aftësi të kufizuar.
Po kështu PD kërkon edhe anulimin e gjobave dhe kamatëvonesat të vendosura deri në datën 30 nëntor 2024 për mosrespektimin e afateve apo mospagimin e taksës së pronës.
“Grupi Parlamentar i PD ka propozuar që:
1- Të anulohen të gjitha masat administrative të vendosura sipas nenit 52, pika 1, shkronja “e”, të ligjit nr. 107/2014, datë 31.07.2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, në pjesën që parashikon dënimin me gjobë për kryerjen e punimeve pa leje për plotësimin e nevojave për strehim, që është shfuqizuar si papajtueshme me Kushtetutën, me vendimin nr. 15/2022 të Gjykatës Kushtetuese, që nga data e hyrjes së ligjit në fuqi e deri në momentin e shfuqizimit të tij nga Gjykata Kushtetuese.
2- Të anulohen të gjitha detyrimet e prapambetura për energjinë elektrike dhe ujin deri në datën 30 nëntor 2024 për shtresat në nevojë, duke përfshirë pensionistët, familjet me ndihmë ekonomike dhe personat me aftësi të kufizuar.
3- Të anulohen të gjitha masat administrative së bashku me kamatëvonesat të vendosura deri në datën 30 nëntor 2024 nga Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
4- Të anulohen të gjitha masat administrative së bashku kamatëvonesat të vendosura deri në datën 30 nëntor 2024 për mosrespektimin e afateve në procedurat tatimore dhe/ose mospagimin e taksës së pronës”.
Qeveria do të falë gjobat e vendosura nga 1 janari 2015 në nëntor 2024. Përfitues janë ata që janë gjobitur për ndërtim të paligjshëm për strehim individual, në qytet ose në fshat dhe që janë vendosur nga IKMT, Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake. Edhe gjobat që ka vendosur AKU në subjektet agro-përpunuese në zonat rurale do të falen dhe po ashtu edhe gjobat e vendosura nga Inspektorati Shëndetësor për masat anti-Covid. Ministri Taulant Balla kërkoi që Kuvendi të marrë dakordësinë e Presidentit që të hyjë në fuqi menjëherë ligji.
Ky ligj nuk lejohet të hyjë në fuqi pas 11 janarit, kur qeveria vendoset në kufizime për të mos joshur elektoratin pranë zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit 2025.