Politika “Paqe” mes Berishës dhe Artan Hoxhës: Rama takoi Franc Çopjen në Dubai...

“Paqe” mes Berishës dhe Artan Hoxhës: Rama takoi Franc Çopjen në Dubai për investimet në portin e Durrësit

Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Sali Berisha ka cituar Artan Hoxhën për të treguar sipas tij, prapaskenat e investimit dy miliard euro të Muhamed Alabbar në Durrës, që premton të ndërtojë një kompleks gjigand me pallate dhe hotele në vendin ku sot është porti i qytetit.

Sipas Berishës, garancinë se ky investim do të jetë i suksesshëm, Rama e mori nga trafikantët e drogës në Dubai, që kanë miliarda euro pasuri dhe kërkojnë një mënyrë për t’i pastruar paratë e tyre të bllokuara në Emiratet e Bashkuara.

Për këtë, tha kreu i PD-së, Edi Rama takoi personalisht Franc Çopjen në Dubai, një trafikant droge, që sipas dosjes ‘Metamorfoza’ është porositësi i disa vrasjeve në Elbasan dhe në Tiranë.

“Beteja për komisionin hetimor për Portin e Durrësit është e një rëndësie të madhe. Këto vendime për portin e Durrësit përbëjnë aktin më madhor të korrupsionit jo vetëm në Shqipëri, por në Ballkan dhe në Europë. Vështirë shumë të gjesh një aferë multi-miliardëshe siç është kjo, ku toka dhe sipërfaqja ujore që merret mund të kushtojë mbi 2 miliard, ku ndërtimet 12 mijë e 500-600 apartamente me 6 hotele me 5 yje që të gjitha pasuri e grupeve kriminale të Dubait, me të cilat siç dëshmoi gazetari investigativ, Artan Hoxha, Edi Rama ka bërë takim të veçantë gjatë vizitës së tij në Dubai me temë, investimet e tyre në Durrës.

Mos harroni se vetëm Franc Çopja, sipas dosjes ‘Metamorfoza’, njëri prej tyre është ky nga Elbasani thuhet se ka transferuar në bankat e Europës 3 miliard euro. E them këtë shifër për të kuptuar se sa e pakufishme është paraja e tyre. Pra, Edi Rama mori u zotua se do të bënte amnistinë, pasi Bashkimi Europian dhe partnerët e tjerë Shtetet e Bashkuara i nxorën kartonin e kuq, përndryshe do të kemi sanksione të forta, ky u tërhoq nga amnistia dhe bëri pastaj takimin e fshehtë në Dubai me zotimin se ata do të ndërtojnë parajsën e tij dhe të Alabbarit në Durrës”, u shpreh Berisha.

Franc Çopja ka sjellë disa miliona euro në Shqipëri sipas dosjes së SPAK që u bazua në përgjimet e SKY ECC.

Paratë e trafikantit të drogës nga Elbasani ishin investuar kryesisht në ndërtim, në pallate dhe komplekse vilash në periferi të Tiranës.