Detaje të reja kanë dalë në dritë për ngjarjen e rëndë që ndodhi pasditen e djeshme në kryqëzimin që njihet si Posta e Çoles në lagjen “24 Maji”, të Vlorës.
Mësohet se në vendin e ngjarjes janë gjetur në total 80 gëzhoja. Dy karikatorë kallashnikovi janë zbrazur totalisht në vendngjarje dhe mendohet se një prej autorëve armën e zjarrit e ka mbushur sërish duke treguar agresivitetin e saj.
Siç mësohet kemi të bëjmë me tre autorë në këtë atentat. Drejtuesi i mjetit, një person që godet nga ana e pasagjerit dhe një tjetër person që godet nga ana e pasme e makinës.
Brenda makinës së shkrumbuar të llojit “KIA” është gjetur i djegur në sediljet e para një kallashnikov dhe një karikator. Po ashtu në sediljet e pasme të mjetit është gjetur një kallashnikov bashkë me karikatorin e djegur.
Ndërkohë, Vlora është blinduar prej mbrëmjes së djeshme nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, që kanë zbarkuar në terren pas ngjarjes, duke ushtruar kontrolle.
Si pasojë e atentatit ka mbetur i plagosur Kevin Hajrulla, i cili lëvizte me një automjet tip “Mercedes Benz”. 30-vjeçari besohet se ishte objektivi i sulmit, ndërsa si rrjedhojë e breshërisë së plumbave ka mbetur i plagosur edhe 35-vjeçari Armand Spahiu, i cili ka qenë tregtar ambulant i fruta-perimeve.
I plagosuri Kevin Hajrulla është transportuar në gjendje të rëndë në spitalin e Vlorës, ndërsa mëngjesin e sotëm është nisur drejt spitalit të Traumës në kryeqytet.