Federata e Futbollit të Brazilit (CBF) ka zyrtarizuar zgjatjen deri në vitin 2038 të marrëveshjes me sponsorin teknik Nike, e cila do të skadonte në vitin 2026.
Me këtë shtesë kontraktuale 12-vjeçare, CBF do të marrë 100 milionë dollarë (rreth 95 milionë euro) në vit, plus bonuse të lidhura me arritjen e objektivave të caktuara.
Në total, shuma prej 1.2 miliardë dollarësh (rreth 1.1 miliardë euro) përbën një rekord për futbollin e ekipeve kombëtare, ndërsa përsa i përket shumës vjetore, është pak më e ulët se 100 milionë eurot që Nike do t’i paguajë Federatës Gjermane të Futbollit duke filluar nga viti 2027 për një periudhë prej shtatë vitesh.
Për krahasim, marrëveshja aktuale që lidh kombëtaren italiane me Adidas sjell 35 milionë euro në vit plus bonuse të mundshme, shifër pak më e ulët se ajo e Anglisë, që merr 37 milionë euro në vit nga sponsori i saj teknik, Nike.