Bota Rënia e Assad-it nuk është një “humbje” për Rusinë, thotë Putin

Rënia e Assad-it nuk është një “humbje” për Rusinë, thotë Putin

Largimi nga Siria i Bashar al-Asad, një aleat i ngushtë i Moskës, nuk është një “humbje” për Rusinë, siguroi Vladimir Putin të enjten, ndërsa vlerësoi se ushtria ruse, e mobilizuar në Siri që nga viti 2015, kishte “arritur objektivin e saj”.

“Ata po përpiqen të paraqesin atë që ndodhi në Siri si një disfatë për Rusinë. Ju siguroj se nuk është kështu”, tha ai në konferencën e tij vjetore për shtyp. “Ne erdhëm në Siri dhjetë vjet më parë për të parandaluar krijimin e një enklavë terroriste atje, si në Afganistan. Në përgjithësi, ne e kemi arritur qëllimin tonë”.

Ministria e Jashtme e Federatës Ruse deklaroi më herët se autoritetet mund të nisin një vlerësim në lidhje me heqjen e Hayat Tahrir al-Sham (HTS) nga lista e terrorizmit.

“Ne do të fillojmë një vlerësim në lidhje me heqjen e Hayat Tahrir al-Sham nga lista e terrorizmit”, deklaroi diplomacia ruse.

Parlamenti rus miratoi një ditë më parë një ligj, i cili do t’i lejojë gjykatat të pezullojnë ndalimet për grupet e përcaktuara nga Moska si organizata terroriste – duke i hapur rrugën asaj për të normalizuar lidhjet me talebanët afganë dhe potencialisht me udhëheqjen e re të Sirisë.

Udhëheqësi i rajonit mysliman të Çeçenisë në Rusi, Ramzan Kadyrov, bëri thirrje të hënën për heqjen e grupit sirian Hayat Tahrir al-Sham nga lista e grupeve terroriste të ndaluara të Moskës.

HTS-ja udhëhoqi përmbysjen e presidentit sirian Bashar al-Assad këtë muaj.

Kadyrov, një aleat i ngushtë i Putin-it, tha se Rusia kishte nevojë për lidhje me autoritetet e reja siriane për të siguruar stabilitet dhe për të parandaluar një katastrofë humanitare.

Kremlin-i tha këtë javë se Rusia ishte në kontakt me udhëheqjen e re në Siri, ku shpreson të ruajë përdorimin e një aeroporti dhe një baze detare që i japin asaj një bazë të rëndësishme ushtarake në Mesdhe.

Ligji i ri, i miratuar nga dhoma e ulët e parlamentit (Duma) lejon që një grup të hiqet nga lista e ndaluar e Rusisë me urdhër të një gjykate nëse pushon veprimtarinë e lidhur me terrorizmin.

Talebanët ishin në grupin e parë të grupeve që u renditën, në shkurt 2003, dhe HTS-ja e Sirisë u shtua në 2020.