Politika Tensione në Kuvend, Agron Shehaj bllokon foltoren, Spiropali e përjashton nga seanca:...

Tensione në Kuvend, Agron Shehaj bllokon foltoren, Spiropali e përjashton nga seanca: Kopje e keqe e origjinalit!

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ka përjashtuar nga seanca parlamentare deputetin Agron Shehaj pasi ky i fundit refuzoi të lironte foltoren.

Spiropali u shpreh se radhën për të folur e kishte kreun i PD-së, Sali Berisha, duke e quajtur Agron Shehaj “një kopje e keqe e origjinalit”, referuar bllokimit të foltores nga opozita.

“Deputeti Sali Berisha ka fjalën, apo të vijojmë me folësit e tjerë. Askush nuk mund të bllokojë foltoren. Uluni në vend, zhbllokoni foltoren. Ju tërheq vëmendjen, nëse e përsërisni ju jap vërejte. Mos krijoni skena të kota, do ju heq të drejtën e fjalës.

Lësho foltoren se do ju përjashton nga seanca. Po qe për revolucion ta kalojnë ata. Fjalën ia kam dhënë një deputeti, s’mund ta marrësh dot fjalën me dhunë. Për të qenë kopje të këqija të disa të tjerave janë më mirë origjinalët. Më mirë dëgjojmë origjinalët se sa ju”, tha ajo.

Edhe pas përjashtimi nga seanca, deputeti i pavarur refuzoi të largohej nga foltorja dhe kryeparlamentarja ndërpreu seancën për 5 minuta.

Gjatë fjalës së tij, Agron Shehaj, i partisë “Mundësia” ka kërkuar sërish pjesëmarrjen e ministres Belinda Balluku në Kuvend në lidhje me interpelancën e thirrur prej tij prej kohësh.

Ai u shpreh se ministrja ka kohë të hedhë valle te Partia Socialiste, por jo të japë llogari për një nga aferat më të mëdha të 30 viteve në Shqipëri, atë të rrugës Thumanë-Kashar.