Politika Balla, akuza Berishës: Arrestove Adem Jasharin, shpifët për Hashim Thaçin, sot më...

Balla, akuza Berishës: Arrestove Adem Jasharin, shpifët për Hashim Thaçin, sot më flet për këngën “Mora Fjalë”

Ministri i Shtetit për Parlamentin, Taulant Balla iu përgjigj kërkesës së kryetarit të Partisë Demokatike për të miratuar një rezolutë kundër gjenocidit serb në Kosovë në prag të seancës së përbashkët të dy kuvendeve në Prishtinë.

“Dua të komunikoj me publikun fakte historike. në këto 33 vite ps sa herë që ka qenë në shumicë apo pakicë me votën e popullit shqiptar nuk ka çeduar asnjëherë sa i përket pozicionit në mbrojtje të çështjeve tona kombëtare. Janë  8 rezoluta dhe deklarata sa i takon gjenocidit dhe çdo lloj forme krimi ndaj vëllezërve dhe motrave tanë në Kosovë.” tha Balla.

“Në 25 janar  të vitit 2011 kanë qenë përfaqësuesit e PD në asamblenë e Këshillit të Europës që bashkuan votat me propozimin e Rusisë për atë që pasoi që ishte një përpjekje e poshtër për të hedhur baltë mbi luftën çlirimtare” tha Balla duke rikujtuar se PS dhe Idrizi votuan kundër ndërsa 3 votat e PD shkuan për draftin e Kosacevit, ai që sot është zv/kryetar të komistetit të sigurisë kombëtare të Rusisë.

Ju historikisht nuk keni qenë në krahun e  duhur të historisë.

Nuk është rastësi që qoftë mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive, të Shqipërisë dhe Kosovës u zhvilluan pas vitit 2013  dhe mbledhjet e përbashkëta të kuvendit të Shqipërisë dhe të kuvendit të Kosovës me kryetar kuvendi të kësaj shumice.

Prandaj populli e di mirë çfarë kontributi ka PS gjatë viteve ’98- ’99  çfarë kontributi kanë ata që kur udhëheqësit e UÇK shkonin në Rambuje dikush udhëhiqte protesta kundër qeverisë këtu dhe kundër Rambujesë dhe kush i thoshte Hashim Thaçit bashkëpunëtor i Serbisë dhe me fjalë të tjera më të poshtra antishqiptare. Adem Jasharin e keni arrestuar ju këtu në Tiranë”, deklaroi ministri Balla në parlament.

Ai sqaroi në fund edhe lajmet rreth ndalimit të këngës Mora Fjalë në stadium duke thënë se kjo është hedhur poshtë nga Federata e Futbollit dhe është e pavërtetë.

Berisha iu përgjigj, duke e quajtur arrestimin e Adem Jasharit një shpifje të fabrikuar në Beograd dhe të përhapur më pas në Tiranë.

“Arrestimi i Adem Jasharit është një trillim serbo-shqiptar i turpshëm, s’ka ndodhur kurrë në territorin e Shqipërisë. Adem Jashari është stërvitur në territorin e Shqipërisë, në 1991-92 dhe ai nuk është arrestuar kurrë në asnjë rast. Ata që e hapën këtë shpifje, e morën në Beograd dhe e sollën në Tiranë. Rezolutën e keni rrëzuar. Votojeni sot që të hiqni atë njollë të zezë që keni për gjenocidin serb në Kosovë”, deklaroi Berisha.