Aktualitet Planifikuan vrasjen e Sokol Sanxhaktarit, GJKKO jep dënimet për grupin

Planifikuan vrasjen e Sokol Sanxhaktarit, GJKKO jep dënimet për grupin

Gjykata e Posaçme ka dënuar Ilirian Feçin, Elvis Koçin dhe Agim Gjinin për vjedhje me dhunë dhe sigurim kushtesh për kryerjen e vrasjeve, përfshirë atë të Sokol Sanxhaktarit, dhëndrit të ish-kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini.

Vendimi u dha nga gjyqtari Ardit Mustafaj, i cili miratoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, duke dënuar përkatësisht:

Elvis Koçi me 7 vite burg për “Sigurim i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Sokol Sanxhaktari, kryer në periudhën 25-30.07.2020, në qytetin e Elbasanit, si pjesë e grupit të strukturuar kriminal. Ai u akuzua gjithashtu për “Kryerjen e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

Ilirian Feçi me 10 vite burg për “Vjedhje me dhunë” në dëm të shtetasit Skënder Roshi, e kryer në Kavajë më 28.04.2011, si pjesë e grupit të strukturuar kriminal, dhe akuzuar gjithashtu për “Kryerjen e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

Agim Gjini me 10 vite burg për “Vjedhje me dhunë” në dëm të shtetasit Astrit Ademi, e kryer më 31.05.2013 në fshatin Marikaj, Bashkia Vorë, si pjesë e grupit të strukturuar kriminal dhe për “Kryerjen e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

Treshja u gjykua me procedurë të shkurtuar dhe do të përfitojë zbritjen e dënimit me 1/3.

Për pjesën tjetër të grupit, vijon gjykimi i zakonshëm, pasi akuzohen për vepra më të rënda penale.

Pjesë e këtij grupi janë Nuredin Dumani, Henrik Hoxha, Skerdi Tase, Enver Diva, Besjan Xhixha, etj.

Operacioni “Plumbi i Artë”, i zhvilluar në mars të 2022, çoi në kapjen e disa anëtarëve të grupit, përfshirë Nuredin Dumanin, Henrik Hoxhën, Skerdi Tasen dhe së fundmi Erion Alibej, të cilët fituan statusin e bashkëpunëtorëve të drejtësisë dhe përmes dëshmive të tyre zbardhën një sërë krimesh të rënda.