Bota 5 viktima dhe 200 të plagosur, rëndohet bilanci tragjik nga sulmi në...

5 viktima dhe 200 të plagosur, rëndohet bilanci tragjik nga sulmi në Gjermani

Ka shkuar në 5 viktima bilanci tragjik i sulmit të mbrëmjes së djeshme në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg të Gjermanisë.

Sipas medias gjermane ARD, është rritur në 200 numri i të plagosurve si pasojë e sulmit.

Një rritje kjo e konsiderueshme nga shifra e raportuar më herët, mbi 60 të lënduar.

Megjithatë, akoma nuk ka një konfirmim nga ana e autoriteteve lidhur me numrin e saktë të viktimave dhe të plagosurve.

Për sulmin, Policia ka arrestuar mbrëmë një 50-vjeçar me origjinë nga Arabia Saudite, i cili ka qenë nën drejtimin e automjetit.

Thuhet se ai ka mbërritur në Gjermani në vitin 2006 dhe ka punuar si mjek.

Ndërkaq, Kancelari gjerman Olaf Scholz ka mbërritur në Magdeburg mëngjesin e kësaj të shtune.

Scholz ka vendosur një trëndafil të bardhë në vendin e një memoriali të ngritur pranë vendit ku ndodhi sulmi në tregun e Krishtlindjeve të qytetit gjerman.