Aktualitet “Sterilizimi”, GJKKO kërkon rëndim të akuzës për Ilir Beqajn

“Sterilizimi”, GJKKO kërkon rëndim të akuzës për Ilir Beqajn

Gjykata e Posaçme ka kërkuar që të rikualifikohet akuza për Ilir Beqajn, Klodjan Rjepaj dhe Ilir Rrapaj në lidhje me dosjen e “Sterilizimit”.

Trupa gjykuese ka kërkuar që Beqaj, Rrjepaj dhe Rrapaj të akuzohen për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “grup kriminal”.

Sipas të njëjtave burime, Prokuroria thotë se pranon të ngrenë akuzat ashtu siç i sugjeron gjykata, pavarësisht se mendon se akuzat e ngritura prej SPAK-ut ishin të drejta.

Më herët, SPAK ngriti akuzën penale të “shpërdorimit të detyrës” për ish-ministrin Beqaj lidhur me procedurat e dhënies së koncesionit me vlerë 100 milionë Euro, në vitin 2015. Ndërsa për Rrapajn dhe Rrjepajn ngriti akuzën e “falsifikimit të dokumenteve”, “mashtrimit” dhe “shpërdorimit të detyrës”.

Sjellim në vëmendje se më 30 Mars të këtij viti, SPAK mbylli hetimet për dosjen e koncesionit të “Sterilizimit” dhe dërgoi në gjykatë dosjen ndaj 9 personave të vënë nën akuzë, mes tyre dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Nga hetimet ka rezultuar se ish-ministri nuk ka evituar konfliktin e interesit me biznesmenin Ilir Rrapaj, fituesin e koncesionit me vlerë 100 milionë Euro dhe nuk ka kërkuar studim të detajuar për nevojat e sterilizimit në mënyrë që të zgjidhte një variant më pak të kushtueshëm.

Në këto kushte, SPAK ka vënë në akuzë edhe Ilir Rrapajn në cilësinë e aksionerit të kompanisë dhe ish-zëvendësministrin e Shëndetësisë në atë kohë, Klodian Rjepaj, të cilët prej Gushtit 2023 ndodhen në burg.