Ka zgjatur rreth 3 orë protesta e opozitës në Tiranë, ku përveç bllokimit të disa pikave kyçe në Tiranë nuk kanë munguar as tensionet dhe përplasjet mes deputetëve të opozitës dhe policisë.
Simpatizantët PD u grumbulluan rreth orës 17:00, duke bllokuar pesë pikat kyçe në Tiranë, rrethrrotullimi i Zogut të Zi, ai i Pallatit me Shigjeta, sheshi Wilson, Rruga e Elbasanit dhe segmenti ndërmjet ministrive dhe Bashkisë së Tiranës.
Policia bëri thirrje disa herë që të lirohen rrugët, pasi bllokimi i tyre përbën vepër penale, por kjo thirrje u refuzua nga demokratët të cilët thanë se kishin marrë leje dhe se policia duhet tw kishte marrw masat.
Në këtë protestë për herë të parë ishte edhe Sali Berisha, pasi prej gati 10 muajsh ai ishte në arrest shtëpie. Kreu i PD-së, dha mesazhin e tij se nuk do të ndalen deri në arritjen e objektivave kryesore, qeveri teknike dhe zgjedhje të lira.
“Asgjë nuk i pengon demokratët për të realizuar objektivat e tyre. Sot një nga ditët më të veçanta të dhjetorit, por sot është përsëri dita e demokrateve. Ja ku jemi në detyrë, në protestë, revoltë, në mosbindje
Ky dimër premton të jetë i vështirë, si për argatin e Tiranës edhe për padronin në Beograd. Edhe në Beograd studentët po dridhin nga themelet diktatorin, edhe në Tiranë diktatori të ardhme nuk ka. I përshëndes të gjithë demokratët që janë mbledhur sot.
I përshëndes mbarë qytetarët e Tiranës dhe i siguroj se, kjo mosbindje civile është në interesin e çdo qytetari të Tiranës dhe Shqipërisë dhe se ne nuk ndalojmë pa realizuar objektivat tona, qeveri teknike, zgjedhje të lira”, tha Sali Berisha.
Gjatë protestës pati një incident edhe me nënkryetarin e PD, Agron Gjekmarkaj, i cili u raportua se u dhunua nga policia. Për shkak se nuk u ndje mirë, nënkryetari i Parlamentit humbi edhe ndjenjat, më pas u transportua për në spitalin e Traumës.
Ky akt u dënua nga Sali Berisha, i cili tha se policia do të përgjigjet për këto akte dhune, që sipas tij janë urdhëruar nga Edi Rama.
Pas përfundimit të protestës, policia bëri edhe disa shoqërime protestuesish.