Aktualitet “Betlehemi i gjallë”, rituali që risjell skenat biblike në veri të Shqipërisë...

“Betlehemi i gjallë”, rituali që risjell skenat biblike në veri të Shqipërisë (FOTO)

Rituali i Betlehemit te Gjallë është kthyer tashmë në simbol të fshatit Hajmel, ku që prej vitit 2018 banorët e zonës dhe fretërit Kapuçin sjellin për publikun skenat biblike.

Tashmë prej shtatë vitesh banorët e fshatit Hajmel dhe zonave përreth inskenojnë ritualin e “Betlehemit të gjallë”, ku qindra aktorë vullnetarë sjellin në jetë skena biblike të antikitetit, teksa mijëra vizitorë vijnë për të kundruar skenat në qiell të hapur përgjatë katër orëve.

Nga Nensi Bogdani – BIRN

Nën qiellin e vrenjtur të një pasditeje Dhjetori, në fshatin Hajmel që shtrihet mes Lezhës e Shkodrës, dëgjohen së largu zërat e qindra banorëve që po përgatiten të nisin inskenimin e ritualit “Betlehemi i gjallë”, fare pak ditë përpara Krishtlindjeve.

Të rinj të fshatit dhe zonave përreth luajnë role të ndryshme prej kohës së antikitetit, në qiell të hapur, përreth katër orë rresht

Teksa mijëra vizitorë presin radhën të hapen dyert e shfaqjes, aktorë amatorë të veshur me rroba tradicionale nga koha e para lindjes së Krishtit kanë zënë vendet në shtëpizat prej druri dhe kashte të përgatitura prej muajsh enkas nga ata për këtë inskenim.

Rituali i ‘Betlehemi të Gjallë’ inskenohet në prag të Krishtlindjeve, për të kujtuar lindjen e Jezusit dhe mënyrën e jetesës asokohe.

Tradita e “Betlehemit të gjallë” në veri të Shqipërisë e ka zanafillën në vitin 2018, kur prej shtatë vitesh në prag të Krishtlindjeve banorë të fshatrave Hajmel, Nënshat, dhe Dheu i Lehtë përfshihen në mënyrë vullnetare në organizimin e këtij rituali që risjell skena biblike të antikitetit.

Aktorë të ndarë në kasolle prej druri dhe kashte, ku secili performon nën vatrat e zjarrit një zanat të lashtë nga koha e motshme.

“Kjo nuk është vetëm diçka religjioze. Kjo shkon përtej besimit, është një kombinim i aktrimit, teatrales, besimit dhe artit”, i tha BIRN Mark Hilaj, aktor profesionist dhe njëkohësisht një prej organizatorëve të ritualit që prej fillesave të tij.

Aktorë vullnetarë duke inskenuar rrahjen e hekurit nga koha e antikitetit.

Banorët aktrojnë role të ndryshme në qiell të hapur, duke filluar që prej rrahjes së hekurit, mjekimit të plagëve për të sëmurët, bluarjes së miellit dhe përgatitjes së bukës, kujdesit për fëmijët, lindjes së Jezusit, e shumë të tjera.

Fretërit Kapuçinë në Shqipëri kujdesen për çdo detaj të mbarëvajtjes së ritualit që prej fillimit në orën 16:00 deri në mbyllje të tij në orën 20:00.

Aktorë vullnetarë të veshur me rroba te kohës së antikitetit gjatë inskenimit të Betlehemit të Gjallë

“Çdo vit ne ndërrojmë disi skenat, në mënyrë që gjithmonë të ketë diçka ndryshe për vizitorët”, i tha BIRN fra Gjon Shtjefni, një prej fretërve Kapuçinë që merret me organizimin e ritualit.

Inskenimi Betlehemi i Gjallë do të mbahet edhe në dy data të tjera për vizitorët, më 26 Dhjetor dhe 2 Janar.

Një kasolle e improvizuar si një barnatore për kurimin e të sëmurëve nga koha e antikitetit
Rituali i ‘Betlehemi të Gjallë’ inskenohet në prag të Krishtlindjeve, për të kujtuar lindjen e Jezusit dhe mënyrën e jetesës asokohe.