Bota Publikohen pamjet e rrëzimit të avionit në Kazakistan, raportohet për dhjetëra viktima

Publikohen pamjet e rrëzimit të avionit në Kazakistan, raportohet për dhjetëra viktima

Janë bërë publike pamjet e rrëzimit të avionit të pasagjerëve në afërsi të qytetit të Aktaut në Kazakistan.

Siç duket nga pamjet e bëra publike, avioni në bordin e të cilit ndodheshin 67 persona, ka shpërthyer në flakë sapo është përplasur në tokë.

Shkaku i rrëzimit nuk dihet.

Sipas raportimeve fillestare kanë arritur të mbijetojnë 25 persona, ndërsa thuhet se dhjetëra persona kanë ndërruar jetë.

Të mbijetuarit, mes të cilëve 3 fëmijë, po trajtohen në një spital pranë vendit të ngjarjes.

Fluturimi J2-8243 i Azerbajxhanit Airlines ishte rrugës nga kryeqyteti i Azerbajxhanit Baku për në Grozny në Rusi. Raportet thonë se është devijuar për shkak të mjegullës.

Në bord ishin kryesisht shtetas të Azerbajxhanit, por kishte edhe disa pasagjerë nga Rusia, Kazakistani dhe Kirgistani.

Autoritetet thanë se aeroporti i Aktaut është i hapur dhe funksionon normalisht.

Akoma nuk ka koment nga linja ajrore me të cilën po udhëtonin 67 persona “Azerbajxhan Airlines” lidhur me rrëzimin e mjetit ajror.