I ftohti siberian ka prekur pjesën më të madhe të rajonit dhe po ashtu edhe Shqipërinë. Pritet që edhe gjatë fundjavës të na shoqërojë moti me diell, por me temperatura relativisht të ulëta.
Lajda Porja: Diell dhe ftohtë, tashmë i ftohti siberian që ka mbërthyer pjesën më të madhe të Ballkanit, ka sjellë një qëndrueshmëri të motit dhe përmirësim të dukshëm dhe sot vranësirat janë prezente dhe kalimtare. Në zonat Verilindore dhe Juglindore do të kemi momente vetëm me flokë dëbore, por të papërfillshme, ndërkohë temperaturat e ajrit kanë pësuar një tjetër rënie. Maksimalet sot do të jenë rreth vlerës 13-14 gradë. E shtuna dhe e diela do të jenë me diell, i cili do të jetë prezent pothuajse gjatë gjithë ditës, megjithatë do të jetë mjaft ftohtë.
Në një lidhje direkte për Klan News, sinoptikanja Lajda Porja nga “MeteoAlb” thotë se pritet që termometri të zbresë deri në -9 gradë Celsius në zona malore apo fshatra.
Lajda Porja: Nesër do të ketë një tjetër rënie të temperaturave, ku mbetet minimalja -7 gradë, ndërkohë që në zona të thella dhe në fshatra termometri zbret dhe në -9 gradë Celsius. Ka një rënie të lehtë të vlerave maksimale. Edhe pse dielli do të jetë prezent, temperaturat do të jenë mjaft të ulëta. Parashikohet që e shtuna dhe e diela të jenë me diell, por të ftohta, sidomos mëngjesi dhe nata. Megjithatë, nuk priten reshje. Do të kemi një fundjavë me diell.