Justin Trudeau dha dorëheqjen si kryeministër i Kanadasë këtë të hënë. Në një deklaratë për shtyp, Trudeau tha se do të japë dorëheqjen edhe si kryetar i Partisë Liberale pasi të zgjidhet udhëheqësi i ri.
“Synoj të jap dorëheqjen si kryetar partie dhe si kryeministër pasi partia të zgjedhë udhëheqësin e ri përmes një procesi të fortë konkurrues kombëtar”, u shpreh ai.
Në fjalimin e tij, Trudeau bëri me dije se vendimi për t’u larguar nga posti i kryeministrit u mor pas bisedave të gjata me familjen e tij, ndërsa këtë ua komunikoi mbrëmjen e kaluar edhe fëmijëve.
Sipas tij, është bërë e qartë se nëse do të luftonte “betejat e brendshme” nuk është opsioni më i mirë në fletët e votimit për kanadezët.
“Ky vend meriton një zgjedhje të vërtetë në zgjedhjet e ardhshme dhe është bërë e qartë për mua se nëse do duhet të luftoj me betejat e brendshme, nuk mund të jem opsioni më i mirë në këto zgjedhje”, tha Trudeau.
Kujtojmë se Trudeau u zgjodh kreu i Partisë Liberale në Kanada në vitin 2013 dhe dy vite [2015] më vonë siguroi një fitore historike duke u bërë kryeministër në moshën 44-vjeçare.
Gjatë pushtetit të tij 9-vjeçar, Treudeau mundi të fitonte dy palë zgjedhje, mirëpo është përfshirë edhe në disa skandale. Për këtë arsye në vitet e fundit popullariteti i tij në publik, por edhe brenda partisë, ra ndjeshëm.
Viti 2025 është vit elektoral për Kanadanë dhe zgjedhjet duhet të mbahen më 20 Tetor ose para kësaj date.