Policia e Shtetit ka informuar qytetarët që të fshijnë dhe të mos kryejnë asnjë veprim kundrejt disa mesazheve që vijnë nga numra kryesisht të huaj, por edhe të personave që mund t’u jetë hakeruar WhatsApp-i.
“Policia e Shtetit apelon për ata qytetarë që kanë rënë pre e këtyre SMS-ve, të paraqiten në zyrat e Policisë së Shtetit tek strukturat e Krimit Kibernetik, pranë çdo Drejtorie Vendore të Policisë për të denoncuar rastet, me qëllim identifikimin dhe ndëshkimin e autorëve të kësaj veprimtarie të kundraligjshme”, njoftoi policia.
Uniformat blu thonë se mesazhet që vijnë kërkojnë që të votoni ose të regjistroheni në evenimente të ndryshme fiktive. Aty pretendohet se pas regjistrimeve, votuesi apo personi që klikon, do të përfitojë benefite të ndryshme.
“Mesazhet, kanë si qëllim orientimin e poseduesve të llogarive, drejt linqeve mashtruese, qëllimi final i së cilave është marrja në posedim, në mënyrë të padrejtë, të profileve në platformën e komunikimit WhatsApp të personave të mashtruar”, njoftoi policia.
Sipas hetimeve deri më tani janë evidentuar disa raste ku janë konstatuar mesazhe të maskuara në platformën e komunikimit WhatsApp.