Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një prononcim për mediat pranë selisë blu, foli mbi politikat e qeverisë së Edi Ramës lidhur me çmimin e energjisë. Berisha tha se ulja e çmimit të energjisë për ata që konsumojnë shumë është një mashtrim, pasi kjo do të thotë ulje për ata që janë të pasur dhe jo për ata që janë në vështirësi ekonomike.
Berisha u shpreh se kjo lëvizje favorizon ata që konsumojnë sasi të mëdha energjie, dhe shtoi se ky është një shembull i pabarazisë ekstreme dhe hipokrizisë.
“Memorja e Edi Ramës është një mashtrim, është një mashtrim i plotë. Kjo lëvizje, do të thotë të pasurit bëhen më të pasur, të varfrit mbeten pothuaj aty ku janë. Sepse, të ulësh çmimin e energjisë për ata që konsumojnë 700 megavat, siç konsumon ai në sarajet e Surrelit, ndofta, apo ndonjë tjetër, do të thotë ta ulësh për veten tënde. Ta ulësh në 85 lekë nga 95 lekë, njëlloj si për atë që merr 100 milionë lekë në vit, me të që merr 3-4 milionë në vit, është pabarazi ekstreme dhe hipokrizi ekstreme”, tha Berisha.
Berisha theksoi se Partia Demokratike është e palëkundur në kërkesën e saj për një ulje të çmimit të energjisë në përpjesëtim me rrogat dhe pensionet e qytetarëve që fitojnë më pak. Ai gjithashtu kërkoi ulje të çmimit të energjisë për bizneset, veçanërisht për bizneset e vogla.
Sipas Berishës, çmimi i energjisë për shqiptarët në vitin 2013 ka qenë shumë më i ulët dhe aktualisht është rritur në mënyrë të padrejtë, duke dëmtuar qytetarët. Berisha tha se Partia Demokratike do të përmbysë shpërndarjen e të ardhurave kombëtare për të ndihmuar qytetarët të çlirohen nga varfëria.