Aktualitet Imzot Giovani Peragine në krye të Kishës Katolike në Shkodër

Imzot Giovani Peragine në krye të Kishës Katolike në Shkodër

Imzot Giovani Peragine, nga dita e sotme ka marrë zyrtarisht detyrën e Arqipeshkvit të Dioqezës Shkodër-Pult.

Ceremonia e dorëzimit të detyrës është mbajtur pranë katedrales se Shkodrës, ku iu dorëzua detyra nga Monsinjor Angelo Massafra.

Në fjalën e tij të parë i Arqipeshkëv i Dioqezës Shkodër Pult, Monsijkor Peragine u shpreh se vjen në Shkodër në këtë detyrë të rëndësishme duke e cilësuar si tokë e shenjtë të katolicizmit në Shqipëri.

Imzot Peragine u shpreh se “me ardhjen në këtë Arqipeshkvi të Dioqezës Shkodër-Pult jam i vetëdijshëm se po shkel në një tokë të shenjtë një tokë e larë me gjakun e shumë martirëve, të cilët për të dëshmuar besnikërinë e tyre ndaj Krishtit dhe për të treguar afërsinë e tyre me njerëzit nuk ngurruan të japin jetën si Krishti”.

Monsinjor Peragine u caktua Ipeshkëv kuadotur në maj të vitit të kaluar pas dorëheqjes se Monsinjor Angelo Massafra, i cili shërbeu në Shkodër për 28 vite.

Mesha e parë zyrtare e kreut të ri të Kishës Katolike në Shkodër do të mbahet me 11 janar.