Aktualitet Të dielën vjen dimri! Pritet dëborë edhe në zonat e ulëta

Të dielën vjen dimri! Pritet dëborë edhe në zonat e ulëta

Temperaturat e vjeshtës do ja lënë vendin atyre të dimrit këtë fundjavë dhe në vazhdim pasi pritet që të pësojnë rënie drastike. Në një lidhje direkte për Klan News, sinoptikania Lajda Porja nga “MeteoAlb” thotë se duke filluar që nga mbrëmja e së shtunës do të kemi ndryshim të kushteve të motit pasi në vendin tonë do të depërtojnë masat e ftohta polare.

Lajda Porja: Na pret një fundjavë mjaft dinamike edhe pse dita e sotme duket si një ditë tipike vjeshte. Reshje të pakta shiu në zonat qendrore. Parashikohet që orët vijuese sjellin zhvillim të vranësirave duke sjellë reshje shiu në veri dhe në veri-perëndim. Reshje më të pakta do të ketë qendra dhe jugu. Sot mbetet ngrohtë dhe era është kryesisht jugore dhe herë pas here forcohet. Duke filluar që nesër në mbrëmje do të kemi një ndryshim drastik të kushteve atmosferike. Dita e shtunë do të sjellë depërtimin gradual të një mase të ftohtë polare, e cila do të zbresë drejt Gadishullit të Ballkanit dhe Shqipërisë duke sjellë menjëherë ndryshim të kushteve atmosferike. E shtuna do të ketë rënie me 2-3 gradë të temperaturave dhe nga vlerat mjaft të larta që kemi përjetuar pothuajse përgjatë gjithë javës deri në 18 apo 19 gradë, e shtuna do të ulë termometrin në 15 gradë.

Ditën e diel parashikohet që temperaturat të pësojnë një rënie me 6 apo 7 gradë për shkak të masës së ftohtë. E diela do të jetë me reshje shiu dhe dëborë pothuajse në të gjithë territorin e vendit. Ndërkohë, dëbora pritet që të zbresë deri pranë zonës së ulët, kryesisht në atë të Mbishkodrës.

Lajda Porja: Dita e diel do të jetë ajo që do të bëjë ndryshimin drastik ku presin 6 deri në 7 gradë rënie për shkak të masës së ftohtë, e cila depërton në territorin shqiptar. Dita e diel me reshje shiu dhe reshje të dendura dëbore pothuajse në të gjithë zonën veriore dhe veri-lindore dhe në zonat jug-lindore, rrebeshe shiu në pjesën tjetër të territorit. Parashikohet që reshjet e dëborës të zbresin deri pranë zonës së ulët, kryesisht në zonat e Mbishkodrës, megjithatë reshje më të pakta do të ketë jugu i vendit. Temperaturat e ajrit do të pësojnë ndryshim drastik duke filluar që nga dita e diel dhe do të na shoqërojnë përgjatë gjithë javës ku termometri do të zbresë të paktën të dielën në -2 dhe maksimalet ditën e diel do të jenë jo më shumë se 11 gradë. Reshjet e dëborës më të dendura parashikohen ditën e diel dhe më të pakta do të jenë gjatë ditës së shtunë.

Nga dita e diel dhe në vijim do të përjetojmë ditë tipike dimri.