Bota Shtohet misteri i rënies së avionit në Korenë e Jugut: Çfarë ndodhi...

Shtohet misteri i rënies së avionit në Korenë e Jugut: Çfarë ndodhi me kutitë e zeza

Shkaqet e vërteta që çuan në rrëzimin e avionit në Korenë e Jugut më 29 dhjetor dhe që i mori jetën 179 personave me shumë mundësi do të mbeten mister.

Kjo pasi regjistruesi i zërit të kabinës në avionin Jeju Air që fluturonte nga Bangoku në Muan ndaloi së funksionuari 4 minuta para se avioni të ulej në pistë dhe të përplasej fatalisht me një mur rrethues prej betoni.

Autoritetet që po hetojnë katastrofën, më e keqja në Korenë e Jugut, planifikojnë të analizojnë se çfarë ndikoi që “kutitë e zeza” të ndalonin regjistrimin, tha Ministria e Transportit në Seul në një deklaratë.

Kutitë e zeza fillimisht u analizuan në Korenë e Jugut dhe kur zbuluan se të dhënat e zërit mungonin, ato u dërgua në një laborator të Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit të SHBA-së, i cili konfirmoi dëmtimin e tyre.

Hetuesit thanë se kutitë e zeza ishin vendimtare për hetimin, por shtuan se nuk do të hiqnin dorë nga përpjekjet për të zbuluar pse ndodhi përplasja. Pak minuta para përplasjes pilotët i thanë kontrollit të trafikut ajror se avioni kishte pësuar një goditje nga zogjtë dhe deklaruan emergjencë.

Nga rrëzimi i avionit shpëtuan vetëm dy anëtarë të ekuipazhit, të cilët ishin ulur në pjesën e bishtit të avionit.