Reshje intensive dëbore në veri të vendit dhe në juglindje. Në shumë akse rrugore paraqiten problematika në lëvizjen e mjeteve.
Bajpasi i Murrizit është bllokuar këtë paradite për shkak të dëborës së dendur. Policia e Dibrës ka vendosur postbllok në rreth rrotullimin e Klosit duke drejtuar mjetet nga aksi i vjetër Klos-Burrel-Milot.
Trashësia e dëborës në qytetin e Peshkopisë dhe Bulqizës ka arritur rreth 20 cm, ndërsa në zonat e thella varion deri në 40 cm.
Akset rrugore janë pjesërisht të kalueshme me zinxhirë. Rrugët që lidhin Peshkopinë me Kukësin dhe Librazhdin janë të kalueshëm pjesërisht me zinxhirë.
Problematika ka pasur edhe në rrugët drejt Thethit e Tamarës. Borëpastrueset prej mëngjesit janë në terren për të mbajtur rrugët e hapura.
Në qarkun e Kukësit të gjitha akset janë të kalueshme, ndërsa ato drejt zonave të thella, lëvizja kryhet me zinxhirë. Në disa fshatra të thellë raportohet për mungesë të energjisë elektrike.
Reshjet e dëborës kanë nisur këtë mëngjes në të gjithë territorin e juglindjes. Ato janë me intensitet të ulët dhe nuk kanë krijuar problematika për qarkullimin e mjeteve. Akset nacionale në Korçë e Ersekë po mbahen ne monitorim nga subjektet kontraktore të mirëmbajtjes së rrugëve. Drejtuesit e mjeteve duhet të kenë kujdes në fshatrat Dardhë, Vithkuq e Panarit ku trashësia e dëborës shkon në 20 centimetra.
Në Lezhë ka pasur reshje të shumta shiu, por pa shkaktuar probleme në rrugë e biznese. Në disa fshatra ka shkëputje herë pas herë të energjisë elektrike.
Shi pothuajse ka pasur në të gjithë zonat e ultësirës perëndimore dhe në jug ndërsa temperaturat kanë zbritur me disa gradë.