Kryeministri Edi Rama u tha qytetarëve të Përmetit në takimin “Bashkia që duam” se askush nuk mund të besojë, pavarësisht përkatësive politike, që sot në vitin 2019, Shqipëria të kërcënohet nga fantazmat e ’97.
“E, për çfarë? Për t’i shpëtuar Saliu Drejtësisë, për të shpëtuar Luli karrigen e kryetarit dhe për t’iu kthyer Mona me kokë në mes të tepsisë. A janë këto arsye që shqiptarët jo socialistë të cilët kur gdhihen në mëngjes mendojnë si do arrijnë fundin e muajit, të pranojnë që Shqipëria të kthehet edhe njëherë përmbys? Këto nuk janë arsye.
Kush mund ta hajë broçkullën se këta e bëkan për të shpëtuar Shqipërinë e për ta integruar në Europë. Shkojmë tek njerëzit, u themi të na besojnë përfaqësimin në tempullin e demokracisë dhe se kemi vendosur që kush fiton qeveris, kush humb qëndron në opozitë, po aq e rëndësishme për demokracinë. Kanë bërë diçka që as në Europë, jo e jo, por në asnjë regjim hibrid nuk është bërë ndonjëherë”, tha kryeministri.