“Futbolli, ashtu si sportet e tjera, është fotografi e jetës dhe e shoqërisë”: kështu tha Papa Françesku, duke pritur në Vatikan, futbollistët dhe drejtuesit e skuadrës spanjolle të Villareal-it.
“Nëse luajmë, duke menduar për të mirën e gjithë skuadrës, atëherë është më e lehtë të arrijmë fitoren… Kjo është e mundur nëse veprojmë me frymën e miqësisë, duke lënë mënjanë individualizmin, ose aspiratat personale. Vërtet, futbolli është si sportet e tjera: është fotografi e jetës dhe e shoqërisë”.
Futbollistët transmetojnë vlera
Futbollistët, nënvizoi Papa, janë të rëndësishëm për tifozët, që i ndjekin. Ata mund t’u dëshmojnë vlerat e futbollit si shoqëria, përpjekjet personale për arritjen e rezultateve, bukuria e lojës, rëndësia e skuadrës…
“Kur lojtarët luajnë futboll, njëkohësisht, edukojnë e transmetojnë vlera, sepse shumë njerëz, sidomos të rinjtë, i admirojnë dhe i shohin me vëmendje”.
T’i falenderojmë ata, që na ndihmojnë
Aspekt tjetër i sportit është “mirënjohja”, tha Ati i Shenjtë. Ajo duhet të na shoqërojë gjithë jetën, theksoi. Duhet t’i falenderojmë ata, që na ndihmojnë, pa të cilët nuk do të ishim ku jemi:
“Të ndjejmë në këtë mënyrë, na ndihmon të zhvillohemi si njerëz, sepse ‘loja’ jonë nuk është vetëm jona, por edhe e të tjerëve, që njëfarësoj bëjnë pjesë në jetën tonë”.
Së fundi, një mendim i veçantë për rolin e portierit, i cili, vërejti Papa Françesku, “duhet ta bllokojë topin aty ku mbërrin, por nuk e di nga i vjen. Edhe jeta është kështu”.