Sport Partizani “fitore me kosto” ndaj Flamurtarit

Partizani “fitore me kosto” ndaj Flamurtarit

Partizani u rikthye te fitorja, pasi mposhti Flamurtarin me rezultatin 3-1, në një sfidë mjaft interesante, që prodhoi edhe polemika të shumta, veçanërisht mbi vendimet e arbitrit, që në disa raste ishin të kontestueshme.

Një fitore morali në prag të derbit, por që mund të rezultojë me kosto të mëdha për “të kuqtë”, të cilët do të luajnë përballë Tiranës pa praninë e Lorenc Trashit dhe me shumë gjasa, edhe pa praninë e tifozerisë.

Sfida nisi me ritëm që në fillim, kur Jurgen Bardhi kaloi Partizanin në avantazh në minutën e 11’, pas një rrëmuje në zonën e Flamurtarit, ndërsa vetëm dy minuta më pas Trashi u ndëshkua me karton të verdhë dhe shpërtheu në lot, pasi kuptoi se sapo kishte humbur derbin me Tiranën.

Flamurtari reagoi mirë dhe arriti të rikthejë baraspeshën në minutën e 40’, kur Andi Ribaj i shpëtoi mbulimit të Rexhepit dhe dërgoi topin në rrjetën e portierit Alban Hoxha, ndërsa këtu u regjistrua një tjetër incident.

Futbollistët vlonjatë përsëritën festimin e zakonshëm, duke pozuar para fotografit të tyre personal, por kjo gjë solli acarimin e tifozëve të kuq, që kapërcyen mbulimin dhe sulmuan fotografin e Flamurtarit, duke sjellë edhe ndërprerjen për 5 minuta të ndeshjes.

Pas ndërhyrjes së forcave të rendit, por edhe futbollistëve të kuq, u rivendos qetësia, ndërkohë që arbitri ndëshkoi me karton të kuq autorin e golit, Andi Ribaj, për shkak se u konfliktua në distancë me një prej tifozëve të Partizanit.

Pjesa e dytë filloi me Partizanin agresiv, ndërsa trajneri Gega përforcoi ndjeshëm sulmin, duke hedhur edhe Mensah e Hebaj, për Rexhepin dhe Dukën, me qëllim gjetjen e golit të fitores, që po vononte për shkak të formës spektakolare të Koliçit.

Gjithsesi gjithçka u zhbllokua në minutën e 68’, kur Hebaj devijoi në rrjetë një top të grushtuar nga portieri i Flamurtarit, ndërsa vetëm 3 minuta më vonë, sulmuesi shkodran shënoi edhe golin e tretë për të kuqtë.

Fitorja i dha 3 pikët Partizanit, që thelloi diferencën me Teutën ndjekëse, duke shkuar në +10 pikë dhe shkon me moral të lartë në derbin me Tiranën, që do të zhvillohet të premten e ardhshme.