Sport Klopp te Red Bull, jetë e re, por me inate të vjetra:...

Klopp te Red Bull, jetë e re, por me inate të vjetra: Po u ndëshkua City, birrën për të festuar e ofroj unë

Pas gati 25 vitesh në pankinë, Jurgen Klopp ka vendosur t’i përkushtohet një aventure të re, duke pranuar rolin e “Kreu i futbollit global” te Red Bull.

Një detyrë krejtësisht ndryshe nga e kaluara, që i jep mundësinë të vërë përvojën e tij në shërbim jo vetëm të një skuadre të vetme, por të një grupi të tërë në nivel botëror.

“E di që ka gjëra shumë më të rëndësishme se futbolli, por ndikimi që ai ka është i madh dhe unë jam krenar që jam pjesë e tij – shpjegoi ish-trajneri i Borussia Dortmund dhe Liverpool. – E konsideroj veten një mjek të futbollit, kudo që jam jap gjithçka nga vetja, dhe tani këtë do ta bëj për Red Bull. Ky rol pasqyron atë që kam dashur gjithmonë të bëj, jam shumë i emocionuar, por ndiej gjithashtu që mund të jem shumë i dobishëm”.

Në një bisedë me Maurizio Crosetti për La Repubblica, Klopp ishte i qartë: “Nëse ndëshkohet City? Nëse ndodh, blini biletat e avionit dhe ju pres në shtëpinë time në Mynih. Birrën për të festuar e ofroj unë dhe paradën e bëj në kopsht”.

Një rol unik në një multinacionale sportive

Pasi u largua nga Liverpool shtatë muaj më parë, Klopp nuk kishte më dëshirë për të qenë në pankinë, por as për të dalë në pension në moshën 57-vjeçare. Kështu, ai pranoi me entuziazëm ofertën për të marrë një rol të veçantë në atë që është shndërruar në një multinacionale edhe në sport. “Kam qenë në këtë sport për shumë vite dhe kurrë nuk kam humbur kuriozitetin. Ky projekt, që më jep mundësinë të zbatoj të gjithë përvojën time në ekipe dhe struktura të ndryshme, është ideal – tregoi gjermani. – Për mua, ky është momenti perfekt për ta bërë këtë punë. Por, kjo nuk do të thotë që në të ardhmen nuk do të kthehem në pankinë”.

Një sfidë globale

“Tani do të merrem me ekipe nga shumë vende, nga Brazili, Japonia, deri në SHBA – vazhdoi Klopp, i cili këto ditë debutoi duke shkuar në stadium për të ndjekur Paris FC, ku Red Bull ka një pjesë minoritare, dhe Leipzigun. – Do të kem mundësinë të jem i dobishëm jo vetëm për një klub, por për një grup ndërkombëtar ku ka shumë entuziazëm”.

“Roli im nuk do të jetë thjesht konsultativ. Çdo ekip ka nevojat e veta dhe për secilin do të kërkojmë një zgjidhje për të përparuar së bashku. Angazhimi im do të përqendrohet në strategji – shtoi ai. – Edhe te Dortmundi dhe Liverpooli puna ime ka qenë gjithmonë shumë strategjike, përmirësimi i ekipeve, infrastrukturave dhe kulturës”.

“Një sfidë tjetër do të jetë gjetja e sinergjive midis sporteve të ndryshme dhe bashkimi i tyre, duke mësuar nga njëri-tjetri”, përfundoi ish-trajneri. “Nuk do të them kurrë që do të fitojmë Bundesligën apo Champions League – përfundoi Klopp – por do të bëjmë më të mirën për të përmirësuar të gjitha ekipet. Do të punoj edhe me trajnerët, sepse e di se çfarë u nevojitet”.