Aktualitet Vrau me çekiç fqinjin dhe i vodhi paratë që kishte në xhep,...

Vrau me çekiç fqinjin dhe i vodhi paratë që kishte në xhep, arrestohet 64-vjeçari

Isuf Hasa, 64 vjeç është autori i vrasjes së 81-vjeçarit Xhemal Meta në Zall-Bastar, i cili është vënë në pranga.

Policia bën të ditur se Isuf Hasa, fqinj me viktimën ka shkuar me datë 13 Janar rreth orës 09:00 në banesën e të moshuarit dhe për motive të dobëta e ka goditur me çekiç pas koke.

Pasi ka kryer vrasjen, ai i ka marrë dhe shumën monetare që 81-vjeçari ka pasur në xhep dhe më pas është larguar. Nga kontrollet që policia ka ushtruar në banesën e autorit të vrasjes janë gjetur 200 mijë Lekë të reja.

Uniformat blu kanë ushtruar kontrolle dhe në banesën e vajzës së Isuf Hasës, ku kanë gjetur çekiçin me të cilin autori ka kryer vrasjen e Xhemal Metës.

Sjellim në vëmendje se dy ditë më parë në Zall-Bastar, i moshuari Xhemal Meta u gjet i pajetë në oborrin e shtëpisë.

Pas kryerjes së ekzaminimit mjeko-ligjor, ka rezultuar se 81-vjeçari kishte dëmtime në pjesën e pasme të kokës.