Izraeli dhe Hamasi kanë rënë dakord për një marrëveshje që do të ndalojë luftimet në Gaza dhe do të çojë në lirimin me faza të pengjeve dhe të burgosurve palestinezë, i tha CNN një burim i informuar për bisedimet.
Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti do të publikojnë së shpejti një deklaratë të përbashkët lidhur me marrëveshjen e armëpushimit, shkruan ‘Times of Israel’ duke cituar një diplomat të lartë arab në dijeni të negociatave.
Më pas, kryeministri i Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, do të mbajë një konferencë në Doha për të dhënë detaje lidhur me marrëveshjen.
Sipas marrëveshjes, e cila ende nuk është shpallur zyrtarisht, Hamasi pritet të lirojë 33 pengje të kapur nga Izraeli gjatë sulmeve të 7 tetorit 2023.
Në këmbim, Izraeli do të lirojë qindra të burgosur palestinezë.
Marrëveshja do të jepte pauzën e parë nga lufta për popullin e Gazës në më shumë se një vit, dhe vetëm të dytin që nga fillimi i bombardimeve izraelite.
Pasi të konfirmohet, pritet që marrëveshja të lejojë civilët palestinezë të kthehen në veri të Gazës dhe do të ketë një fluks masiv ndihme humanitare në Rrip, ku banorët janë përballur prej kohësh me kushte të rënda humanitare.
Ndërkohë këtë marrëveshje e ka konfirmuar edhe Presidenti i zgjedhur i SHBA-ve, Donald Trump, i cili ka thënë në rrjetin social ‘Truth’ se pengjet e Hamas do të lirohen shumë shpejt.
“Kjo marrëveshje epike armëpushimi u realizua falë fitores tonë historike të nëntorit, duke i sinjalizuar botës se administrata ime do të kërkonte paqen dhe do të negocionte marrëveshje për të garantuar sigurinë e të gjithë amerikanëve dhe aleatëve tanë”, shkruan Donald Trump në Truth duke komentuar marrëveshjen mbi Gazën. “Kemi arritur kaq shumë pa qenë ende në Shtëpinë e Bardhë. Imagjinoni sa gjëra të mrekullueshme do të ndodhin kur të kthehem në Shtëpinë e Bardhë dhe e gjithë administrata ime do të konfirmohet, në mënyrë që të sigurojmë fitore të tjera për SHBA”, shtoi Trump.