Është ekstraduar nga Italia në Shqipëri Gjovalin Lesi, i cili është dënuar me burg përjetë për vrasje të dyfishtë. 56-vjeçari u arrestua nga autoritetet italiane më 3 Prill të vitit të shkuar, e më pas u transferua në burgun e Matera-s.
“Operacioni policor ndërkombëtar i koduar “Verdikti”, i finalizuar në prill 2024, në Itali për kapjen e këtij shtetasi u zhvillua falë informacionit të siguruar nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe të shkëmbyer nga Interpol Tirana me Interpol Romën, Policinë e Materas, Itali, me koordinimin e Zyrës së Interforcës Italiane, Zyrës së Ekspertëve Italianë të Sigurisë, në Shqipëri, dhe Shërbimit për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor-Divizioni i 2-të, Romë. Si rezultat i koordinimit të punës ndërmjet specialistëve të Interpol Tiranës dhe homologëve të tyre në Romë, u finalizua procedura për ekstradimin në Shqipëri, të shtetasit Gjovalin Lesi, 56 vjeç, i lindur në Lezhë”, njofton Policia.
Në vitin 1997, pas një konflikti për motive të dobëta në Rubik, Gjovalin Lesi vrau me armë zjarri kallashnikov, motrën dhe bashkëshortin e saj.