Prokurori Kledian Llaho, njëkohësisht drejtuesi i Prokurorisë së Sarandës, është pezulluar nga detyra me kërkesë të SPAK.
Vendimin e mori Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar më 14 janar.
Llaho dyshohet për kryerjen e veprës penale “korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.
Nga hetimet rezultoi se Llaho dyshohet se ka kryer veprime me natyrë korruptive.
Sipas SPAK, ai ka kërkuar përfitime të parregullta materiale nga të cilat do të përfitonte në mënyrë të drejtpërdrejtë vjehrri i tij, një shtetas me iniciale V.Gj.
Po ashtu ka dyshime për veprime të kundraligjshme edhe në raport me persona të tjerë, sipas Prokurorisë së Posaçme.
“Në cilësinë e prokurorit të çështjes penale, nr. 774/2021 dhe asaj me nr.720/2024, dyshohet se ka abuzuar me funksionin e tij”, sqaron më tej SPAK.
Llaho e mori drejtimin e Prokurorisë së Sarandës në 31 janar të vitit 2023 pas vendimit nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Ai e ka nisur karrierën e tij në vitin 2004 si Oficer i Policisë Gjyqësore, ndërsa në 2014 është bërë prokuror në Vlorë.
Pas punës në Sarandë si prokuror, ai u caktua në janar të dy viteve më parë si drejtues i Prokurorisë atje. Ai kaloi Shkallën e Parë të Vettingut, por rasti i tij është ankimuar në Komisionin e Posaçëm të Apelimit.