Danilo Alves la Flamurtarin, pasi klubi vlonjat nuk e kishte paguar prej pesë muajsh. Sulmuesi brazilian nuk pranoi të kthehet nga Brazili për në Shqipëri, pas pushimeve të vitit të ri. Shkak ishte pagesa, ndërsa Flamurari njoftoi FIFA-n për rastin, ashtu si kundër dhe lojtari për klubin. Gjithsesi, pak ditë më parë, Alves firmosi kontratën e re, larg nga Shqipëria, në kampionatin e Kazakistanit me ekipin e Okzhetpes. Ai ka dhënë një intervistë për mediat vendase, teksa ka folur për shumë tema. Ai ka folur për largimin nga Flamurtari dhe pagat e papaguara të pesë muajve.
Largimi nga Shqipëria dhe problemet me pagat?- “Periudha në Shqipëri ishte shumë e mirë. Kam luajtur për tre vjet për Flamurtarin, por gjithmonë ka pasur probleme me pagimin e rrogave. Për tre sezone që kam kaluar atje, viti i shkuar ishte më i keqi nga ana financiare. Kam punuar gjysmën e sezonit pa ndonjë pagë. Prandaj, mendoj se kam të drejtë të largohem. Unë u përpoqa të bëja një marrëveshje të përbashkët, që unë të paguhesha për punën e bërë, që janë pesë muaj, por klubi më tha se nuk do të më lejonte të largohesha. Do të doja të kthehesha në këtë në këtë ekip, por unë kam një familje dhe nuk mund të punoja pa para për muaj të tërë. Prandaj, u vendos që të merrej FIFA me klubin”.
Përvoja në Shqipëri?- “Unë kam qenë shumë i lidhur me këtë vend. Njerëzit atje gjithmonë e kanë trajtuar shumë mirë familjen time. Në Shqipëri ka futboll shumë konkurrues dhe shumë i fortë. Shqipëria ishte përvoja ime e parë jashtë Brazilit. Më pëlqeu vërtet, përvoja ishte e mrekullueshme, mësova shumë. Shqipëria është një vend ku të gjithë merren me futbollin. Flasin vetëm për futbollin dhe është shumë konkurrues. Por në të njëjtën kohë ka shumë gjëra që duhet të përmirësohen”.