Kryeministri Edi Rama ka mbledhur ditën e sotme në selinë e Partisë Socialiste kandidatët për deputetë të qarkut të Tiranës.
Gjatë fjalës së tij para të pranishmëve, Rama tha se PS dhe qeveria e tij do të realizojnë futjen e vendit në Bashkimin Europian brenda vitit 2030.
Ai tha gjithashtu se PS është autore e Reformës në Drejtësi, që sipas tij, partitë e opozitës duan që ta zhbëjnë.
Shefi i ekzekutivit i tha qytetarëve se treni i historisë ndalon shumë pak në një stacion dhe mundësia për qytetarët është e kufizuar, e kapin ose e humbasin.
“Treni i historisë ndalon shumë pak në një stacion, nuk rri aty pafundësisht. Sepse e tillë është mënyra si zhvillohet historia. Vendi e kap trenin ose e humbet. Është sot duke parë të gjitha ndryshimet në mbarë botën, ekzistenciale që ne të jemi në BE. E rëndësishme është që ne t’u flasim njerëzve për rëndësinë e këtij momenti.
Kjo është me rëndësi jetike për Shqipërinë dhe shqiptarët, sepse vetëm duke hyrë në BE Shqipëria mund të sigurojë njëherë e mirë lirinë individuale të shqiptarëve. Liria individuale është e kërcënuar për sa kohë që jemi jashtë BE. Te barazia para ligjit ne e kemi shumë të qartë kërcënimin.
Ne jemi këtu autorë të Reformës në Drejtësi, udhëheqjes së procesit transformues të drejtësisë dhe bartës të kostove më të mëdha të këtij procesi dhe me vetëdijen e plotë se pa ne ky proces është i parealizueshëm. Dhe përballë nesh janë forca që duan të kthejnë përmbys gjithçka që është arritur deri më tani. Kur të hyjmë në BE nuk do të ketë më rëndësi kush qeveris këtu”, tha Rama.
Kreu i PS tha se në zgjedhjet e 11 majit, forca politike që ai drejton mund të shkojë na afro 1 milion vota.
Më tej, ai komentoi edhe afrimet në PS nga radhët e forcave të tjera politike në vend. Kryeministri u shpreh se kjo ka ardhur pasi ata e kanë kuptuar që nuk vjen asgjë e mirë për vendin nga partitë opozitare.
“Në skuadrën e 11 majin ne kemi edhe një përbërje domethënëse të atyre që kanë kapërcyer nga njëra anë tek tjetra dhe janë me ne pasi në një proces të gjatë kanë parë sesa pa lidhje dhe e kot është të besoj se mund të vijë diçka e mirë duke dalë për të kërkuar vota për ata që sot janë përballë nesh.
Është e mirëpritur për mua sepse PS është shumë më e gjerë sesa vetvetja sepse perimetri i anëtarësisë së vet. Në fund të ditës ne jemi këtu mishërimi i vullnetit të afro 800 mijë shqiptarëve, të cilët më votën e diasporës mund të shkojnë afër 1 milionë.
Ne duhet të jemi të gatshëm që PS-në mund t’ia vëmë në dispozicion të gjithë atyre që ndajnë qëllime të mëdha. Asnjëherë më parë nuk ka pasur një moment zgjedhor si ky me një peshë specifike gjeopolitike”, tha Rama.