Sport Sulmuan fotografin e Flamurtarit, procedohen 4 tifozët e Partizanit

Sulmuan fotografin e Flamurtarit, procedohen 4 tifozët e Partizanit

Ngjarjet e shëmtuara në Partizani-Flamurtari shoqëruan gjithë fundjavën me polemika. Në momentin që Ribaj barazoi rezultatin, ekipi vlonjat po festonte me foton e zakonshme. Tifozët replikuan në distancë me fotografin Shkëlqim Rama dhe aq u desh që situata të kalonte në dhunë.

Pas kallëzimit të bërë nga Shkëlqim Rama, policia ka identifikuar personat që e sulmuan. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.2, identifikuan dhe proceduan penalisht në gjendje të lirë, shtetasit:

  1. Xh., 31 vjeç, banues në Tiranë
  2. Ll., 31 vjeç, banues në Tiranë
  3. B., 19 vjeç, banues në Tiranë
  4. H., 28 vjeç, banues në Tiranë

“Këta shtetas më datë 23 shkurt 2019, rreth orës 17:40, tek stadiumi “Selman Stërmasi”, gjatë zhvillimit të ndeshjes “Partizani-Flamurtari”, kanë hyrë në fushë dhe kanë goditur shtetasin Sh. R., 32 vjeç (fotograf i ekipit “Flamurtari”).

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur për veprat penale “Prishje e rendit dhe qetësisë publike”, “Mosbindje e urdhrit të punonjësit të rendit publik”, “Dëmtime të tjera me dashje e kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga nenet 274, 242 dhe 90/25 të Kodit Penal“, deklaroi policia.