Kryesore Policia ndalon protestën para Parlamentit: Cënon sigurinë

Policia ndalon protestën para Parlamentit: Cënon sigurinë

Drejtoria e Policisë ka refuzuar kërkesën e partisë Demokratike, për të protestuar para parlamentit më datën 5 Mars, në orën 09:00, ashtu siç subjekti opozitar kishte kërkuar lejë më përpara.

Në korrespondencën mes zyrës së PD-së dhe Policisë së Shtetit, renditen edhe arsyet pse kjo e fundit ka refuzuar lejen ndaj opozitës, për të protestuar në sheshin para parlamentit.

Dhuna e ushtruar ndaj anëtarëve të Parlamentit, dhuna ndaj punonjësve të policisë, duke përdorur edhe mjete të forta, thirrjet me përmbajtje dhune nga ana e organizatorëve, janë disa nga arsyet që Policia e Shtetit ka renditur në letrën ku refuzon lejen për tubimin.

“Kërkesa juaj për tubim para parlamentit, cënon sigurinë e Institucionit me Rëndësi të Veçantë, siç është Kuvendi i Shqipërisë, pengon hyrjen në të të deputetëve, administratës dhe punonjësve të tjerë, vë në rrezik jetën e tyre dhe pengon zhvillimin e punimeve të parashikuara për në orën 10:00 të kësaj date, ndaj ndalohet zhvillimi i tubimit tuaj në vendin që keni kërkuar”, thuhet në letrën e policisë.

Kjo e fundit fton opozitën që të protestojë paqësisht në një tjetër hapësirë, ndërsa kujton se në rast të shkeljes së vendimit të saj, organizatorët do të mbajnë përgjegjësi administrative dhe penale.