Në rast se nuk ndodh ndonjë mrekulli dhe Reali fiton sërish Champions League, ky sezon do të arkivohet si dështim total për Los Blancos, që e nisën sezonin me synim rikthimin te titulli në Spanjë, por disfata ndaj Barcelonës javën e shkuar varrosi shpresat e pakta.
Tashmë bëhen llogaritë dhe planet e së ardhmes, duke nisur nga stoli, sepse është e sigurt që Santiago Solari nuk ka të ardhme në Madrid. Ndërkaq, AS publikon një listë prej 6 lojtarësh që pritet të largohen në verë, duke nisur natyrisht nga “armiku” i madh i mediave spanjolle, Gareth Bale.
BALE
Uellsiani është i dënuar me largim. Reali është i lodhur nga sjellja e tij dhe ftohtësia në marrëdhëniet me tifozët dhe shokët e ekipit. Paraqitjet e tij kanë qenë të dobëta, aq sa shpesh Lucas Vázquez i ka marrë vendin në formacion. Në të shkuarën Reali ka pasur oferta spektakolare për uellsianin, por për shumë arsye i ka refuzuar. Këtë verë, nëse ndonjë klub shkon mbi 100 milionë euro, Bale do të largohet i pari.
VALLEJO
Në verë Reali do të përforcohet me qendërmbrojtësin e Portos Militao, ndaj Vallejo është i tepërt. Këtë sezon nuk ka luajtur asnjë minutë në La Liga, i vetmi nder që mund t’i bëjë Reali është ta japë në huazim, pasi është vetëm 22 vjeç dhe ndoshta shpërthen gjetkë, nëse dëmtimet e lënë të qetë.
MARCELO
Një ndër lojtarët më të rëndësishëm për Realin në dekadën e fundit, Marcelo është kthyer bujshëm në një çështje delikate. Braziliani e ka thnë shpesh në të shkuarën se ëndrra e tij është ta mbyllë karrierën në Madrid, por këtë sezon ka luajtur vetëm 13 herë dhe është i 13-ti në renditjen e lojtarëve madrilenë me më shumë minuta në kampionat, ndaj dëshira për largim ka ardhur duke u forcuar, pas zërave se largimi i Cristiano Ronaldos kishte vënë në mendime edhe Marcelon.
ISCO
Situata e mesfushorit është e ndërlikuar, shpresa e tij e vetme është trajneri i ri. Solari do të largohet, por klubi nuk është se e sheh kaq të thjeshtë problemin Isco, sepse mesfushori po paraqitet shumë dobët dhe sjellja e tij është shqetësuese, ndërkohë që çmimi i tij po bie nga muaji në muaj.
MARIANO
Blerja e tij ka qenë një dështim total. 25-vjeçari ishte fantastik sezonin e shkuar në Lyon, por 20 milionë eurot e paguara nga Reali janë para të hedhura poshtë. Sulmuesi i lindur në Barcelonë nuk ka pasur fare hapësirë dhe nuk është se i ka shfrytëzuar ato pak minuta që ka pasur në dispozicion. Në verë Reali do ta shesë, me shpresën se do t’i rikuperojë milionat e paguara për të.
BRAHIM
Në janar Reali tentoi të bënte një goditje alla Dortmund me Sancho, sepse bleu për 15 milionë euro Brahim Diaz nga Manchester City. Problemi është se në Dortmund të rinjtë luajnë, në Madrid shkojnë për të ndjekur ndeshjen falas në stadium. Brahim ka luajtur vetëm 24 minuta që prej transferimit në Madrid, në këtë mënyrë nuk ka të ardhme dhe në verë huazimi është i detyruar.