Sport Flamur Hoxha, futbollisti memaliot që e krahasonin me Claudio Gentile-n!

Flamur Hoxha, futbollisti memaliot që e krahasonin me Claudio Gentile-n!

Në një nga qytetet e vogla në Jug të vendit tonë, që njihej me emrin Memaliaj, banorëve u pëlqente ta quanin ndryshe edhe “Brazili i Vogël”, e kishin pagëzuar me këtë emër, pasi futbolli luhej masivisht që nga moshat e vogla e deri tek ata që arrinin të luanin edhe me ekipin e parë të “Minatorit”. Kjo dashuri dhe përkushtim, ka bërë të mundur që të nxjerrin edhe lojtarë me emër dhe me histori, jo vetëm në këtë ekip, por edhe më gjerë, të cilët njiheshin dhe admiroheshin edhe nga sportdashës të shumtë në Jug të vendit tonë. Një prej këtyre është edhe futbollisti memaliot, Flamur Hoxha.

Flamur Hoxha

Flamur Hoxha është fëmija i tetë, pas katër vëllezërve dhe tre motrave. Ai u lind në Memaliaj me prindër Safete dhe Hysni Hoxha. Nënë Safetja ka qenë shtëpiake, ndërsa Hysniu ka punuar si marangoz në repartet e jashtme së minierës të qymyrgurit të vendburimit Memaliaj. Babai i tij xha Hysniu, nuk është shquar për futbollist, por si një ndër peshkatarët më të apasionuar dhe profesionist të qytetit tonë. Gjithashtu, mbahet mend për rindërtimin e një motorçiklete të vjetër, të cilën e përdorte më shumë kur shkonte për peshkim në distanca të ndryshme, ku shtrihej Lumi Vjosë.

Flamur Hoxha, ka kryer arsimin 8-vjeçar dhe atë të mesëm në vendlindje. Ka filluar të luaj futboll që në moshat e vogla si çdo memaliotë, të cilët luanin me porta hungareze apo ekipet e lagjeve që ndesheshin shpesh me njëri-tjetrin. Dashurinë për futbollin dhe për t’u bërë një ditë pjesë e ekipeve të futbollit, e gjente, jo vetëm nga ekipi i futbollit të vendlindjes “Minatorit”, i cili ndiqej nga shumë sportdashës tepelenas, por edhe nga futbollistët e ekipit shkodran “Vllaznia”, që ai i ndiqte rregullisht nëpër artikujt e gazetës sportive, transmetimet radiofonike të ndeshjeve dhe ndeshjet që transmetoheshin tek RTSH-ar.

Flamur Hoxha

Zanafilla e rrugëtimit të tij për të luajtur futboll dhe për t’u bërë pjesë e ekipeve zinxhirë të “Minatorit” dhe më gjerë, filluan kur ai vazhdonte vitin e II-të të shkollës së mesme.

Cilësitë e tij premtuese për një futbollist me të ardhme, u spikatën, kur u stërvit dhe u aktivizua gjithashtu nga Prof. Karafil Caushi, i cili ishte edhe trajneri i ekipit të të rinjve në atë kohë dhe luanin në kampionatin e Kategorisë së parë (1975-1977). Nga vlerat e larta që ai shpaloste nga njëra ndeshje në tjetrën, fiton admirimin e trajnerit Partizan Hila, i cili në atë kohë drejtonte ekipin e të rriturve “Minatori”. Bëhet fjalë për vitin 1977-të, ku trajneri Partizan Hila e afroi Falmur Hoxhën me ekipin e të rriturve. Në vitet 1978-1980 shkon në Gjirokastër për të kryer shërbimin ushtarak, dhe thirret nga trajneri i ekipit të “Luftëtarit”, Hito Hitaj, i cili njihet për kohën, si një ndër trajnerët më të mirë, më të rreptë dhe duhej të ishte shumë i talentuar, për t’i fituar admirimin e tij. Memalioti Flamur Hoxha, jo vetëm fitoi besimin e këtij trajneri, por edhe zemrat e sportdashësve të flaktë që e mbështesnin nga ndeshje në ndeshje, lojën e tij tek ekipi i “Luftëtarit”, që debutonte në Kategorinë e I-rë.

Memaliaj: Ekipi u futbollit “Minatori” te qytetit Memaliaj. Nga e majta: trajneri Partizan Hila, Myzafer Shehu, Petrit Kocali, Reshat Sala, Flamur Hoxha, Sadik Nela, Ilir Seferi, Astrit Goxhaj, Çoti Lika. Vladimir B.Hoxha, Selam Kocali dhe Ferman Haska.

Në vitin 1980-ët kthehet sërish pranë ekipit të “Minatorit”, që drejtohej ende nga trajneri Partizan Hilen, i cili vazhdoi si trajner deri në vitin 1982. Përgjatë viteve 1983-1985-së, ekipin e merr trajneri Qirjako Fani. Ndërsa në vitet 1985-1988-të, ekipin e drejton trajneri Vladimir Bushi. Në vitin 1988-të, ekipi merret prap nga trajneri Qirjako Fani, ndërsa në vitet 1990 -1993, ekipi i ribesohet përsëri trajnerit Vladimir Bushit. Futbollisti Flamur Hoxha, duke luajtur për një kohë të gjatë, vendosi të largohet nga futbolli në vitin 1994-ër. Edhe pse përgjatë karrierës së tij si fubollist, është trajnuar nga trajner të ndryshëm, ku dy të fundit kanë bërë edhe rokada midis njëri-tjetrit, përsëri Flamuri është vlerësuar, pasi për periudhën 1984-1994-ër, ka qenë kapiten i ekipit të “Minatorit”. Në vitin 1986-të, krijoi familje me Dhurata Osmanin, e cila edhe kjo ka për vendlindje Memaliajn dhe familja e tyre u bë më e madhe, duke ardhur në jetë edhe dy fëmijët e tyre, Flori dhe Romina.

Si shumë të rinj memaliotë të asaj kohe, punonin në reparte të ndryshme të minierës së qymyrgurit, të cilat ishin nëntokë dhe në sipërfaqe të saj. Edhe Flamuri, në fillim ka punuar si ndihmës mekanik pranë ofiçinës së minierës Memaliaj dhe më vonë, mekanik, derisa doli në pension të parakohshëm në vitin 1995-së. Në vitin 1996-të, vendoset me familje në Tiranë dhe fillon punën si menaxher, pranë një kompanie Austriake.

Futbollisti Flamur Hoxha, gëzonte një admirim të madh, jo vetëm tek sportdashësit tepelenas, por dhe ata gjirokastritë, edhe pse tek këta të fundit luajti vetëm dy vjet, periudhë kjo përgjatë qëndrimit të kryerjes së shërbimit ushtarak. Për të përshkruar vlerat e futbollit të tij që ai shpaloste, jo vetëm në fushat e blerta që luante nëpër ndeshjet zyrtare me ekipin e “Minatorit”, por edhe nëpër ndeshjet e fushave të zeza dhe kampionateve të futbollit që zhvilloheshin midis ekipeve të ndërmarrjeve dhe lagjeve të qytetit të Memaliajt; e gjejmë më mirë nëpërmjet pagëzimeve të ndryshme që i kanë bërë sportdashësit në atë kohë. Ai shquhej për cilësitë e larta që gëzonte një futbollist profesionist, jo vetëm me ata futbollistë të kampionateve në rang vendi, por edhe me ata të kampionateve të huaja. Një futbollist shumë i shpejtë, atlet dhe me energji të plotë përgjatë 90 minutave. Një mbrojtës me një zotërim të lartë teknik, i fortë fizikisht dhe me tiparet e sigurisë të një mbrojtësi të pakalueshëm. Gjithashtu, një mbrojtës me tipare shumë dalluese të një sulmuesi përgjatë aksioneve në krah, por edhe njohës shumë i mirë i portës së kundërshtarit, ku më të shumtët e golave, i shënonte me kokë nga krosimet që i vinin nga goditjet e dënimit apo ato këndore.

Ekipi legjendar i te rinjve te Minatorit, qe luajti per tre vjet rresht ne kategerine e I-re. Siper nga e mjata: trajneri Karafil Asllan Caushi, Mersin Beda, Selam Kocali, Milo Gjerko, Gezim Dervishi, Viktor Guma, Perparim Meta, Flamur Hoxha, Vladimir B.Hoxha. Ulur mjatas: Luan Goxhaj, Flamur Llakaj, Paulo Hoxha, Robert Nasi, Shaqo Karafili, Medin dashaj, Kristo Liti, Qemal Mateli. Dale tek stadiumi Dinamo para se te zhvillohet ndeshtja finale e kategorise se dyte me Burrelin, ku ekipi I te rinjeve te Minatorit fitoi dhe u shpallen kampione te Kategorise se II-te dhe u siguroi hyrjen ne Kategorine e pare. Kapiten i ekipt Qemal Mateli. (1975)

Në shkrimin tim “Pagëzimet e futbollistëve memaliotë”, të botuar para disa vitesh tek gazeta “Tirana Observer”, për futbollistin Flamur Hoxha kam shkruajtur: “Mëse i njohur është edhe pseudonimi “Brinja”, që sportdashësit memaliotë kanë pagëzuar mbrojtësin Flamur Hoxha. I flisnin kështu pasi ka qenë pak i dobët, por shumë i fortë fizikisht. Me këtë nofkë ai njihet edhe kur luante me ekipin e kategorisë së parë “Luftëtari” të qytetit Gjirokastër. Nga golat që bënte nga ndërhyrjet e tij me kokë përgjatë topave që krosoheshin nga krahët anësorë apo kornet, tifozët memaliotë e pagëzuan edhe me nofkat “Fibra” dhe “Gozhda”. Kjo erdhi pasi përgjatë kërcimeve të tij të larta për të goditur më me forcë topin me kokë, e paloste aq shumë trupin, saqë binte në sy si një vibrim fleksibël prej fibre. Atë e kishin pagëzuar gjithashtu edhe me nofkat “Skile” dhe “Xhentile”. “Skile” i flisnin ngaqë ka qenë pak i dobët si një skile dhe “Xhentile” duke e krahasuar me futbollistin e kombëtares italiane Claudio Gentile. Krahasimet e dy nofkave të fundit i gjejmë tek kënga që i këndonin sportdashësit; “Flamur Hoxha ngjan si skile, ta merr topin si Xhentile”!”

Nëse do të pyesim sportdashësit memaliotë, padyshim që vlerësimet do jenë nga më të mirat, jo vetëm si futbollist, por edhe si një prind i shkëlqyer dhe një bashkëqytetar i denjë memaliot!

Flamur Hoxha bashkë me familjen e tij

Ajo që është karakteristike tek familjet memaliote, është se pjesa më e madhe e të rinjve ende vazhdojnë të merren me sporte të ndryshme siç janë: gjuetia, futbolli, volejbolli, peshëngritja, peshkimi, etj. Edhe pjesëtar të familjes Hoxha janë marr me sporte të ndryshme. Kryetari i familjes xha Hysniu, është shquar për gjuetinë e peshkut në lumin Vjosë. Këtë traditë e trashëguan edhe djemtë e tij si Nebiu, Masllëmi, Resmiu, Abazi dhe Flamuri, pa harruar të përmendim edhe nipërit e tij. Nga fëmijët e minatorit veteran, Nebiut, më kujtohet shoku im i fëmijërisë, Vladimir Hoxhën, ku së bashku jemi stërvitur për katër vjet në klasën e parë sportive të fubollit që u hapë në qytetin e Memaliajt. Ladi siç i flisnim shkurt, ka qenë një mbrojtës dhe mesfushorë shumë i mirë, ku me qetësin e tij, kishte një kotroll të mirë të topit, bënte një lojë teknike dhe i sigurtë, në ndërhyrjet e tij në dyluftim për marrjen e topit. I vëllai i tij më i vogël, Elseni, është stërvitur gjithashtu në klasat sportive të fubolllit,

I nipi i tij Gent Hoxha, duke u stervitur ne palestren verore buze lumit Vjose, pak vite para se te behej pjese e ekipit te peshengritesve te Lokomotives, qe do te fitonte vendin e trete ne stilin me shtytjes, ne nje kampionat kombetar.

Gjithashtu vlerësojmë edhe fëmijët e veteriner Masllëmit. Djali i tij Genti, është marr me peshëngritje që në moshë të re dhe më pas u bë pjesë e ekipit të Lokomotivës, i cili ku zuri edhe vendin e tretë në stilin me shtytje, në një nga kampionatet kombëtare, ndërsa Klodjani është stërvitur me klasat sportive të futbollit. Edhe fëmijët e inxh. Resmiut, i cili ka qenë drejtues për dekada në minierën e qymyrgurit të Memaliaj kanë qenë pjesë e klasave sportive. Vjaza e tij, Irma, është stërvitur për volejboll, ndërsa djali i tij, Gerd Hoxha me klasën sportive të futbollit. Gerton e mbaj mend si një fubollist teknik, energjik dhe me fantazi në lojë, cilësi këto që e tregonin për një futbollist me të ardhme, por ai u shkëput nga ky sport, pasi vazhdoi studimet dhe u diplomua për drejtësi, ku edhe sot punon në këto institucione.

Shtoj se me sport janë marr edhe të tre fëmijët e vëllait tjetër, Abasit, i cili ka punuar një jetë si shofer kamioni. Të dy vajzat e tij Ana dhe Sila, ishin nxënëse të klasave sportive të voljebollit. Sila, është duartrokitur shpesh nga sportdashësit e kohës, për shpalosjen e një potenciali të lartë të lojës së saj të spikatur, si në teknikë, shpejtësi, ngritjen e bllokut, por edhe në ato të goditjeve të topit, të cilat në të shumtën e tyre shënoheshin edhe me pikë. I vëllai i tyre, Ludjoni, është stërvitur gjithashtu me klasat sportive të futbollit memaliot. Ndërsa Flori, djali i futbollistit Flamur Hoxha, ka vazhduar traditën e të atit të tij në futboll. Flori është stërvitur dhe ka luajtur disa vite me të rinjtë e Partizanit që kishin trajner Prof. Suvarov Seferin. Në vitet në vazhdim, Flori u shkëput nga sporti i futbollit, për të vazhduar studimet e larta. Sot ai punon dhe jeton në SH.B.A.

Të gjithë nipërit dhe mbesat e Flamur Hoxhës që lartpërmenda, i përmenda jo paqëllim, pasi tregojnë qartë sesa e kanë dashur dhe ushtruar sportet e ndryshme familjet memaliote.

Këdo që do të pyesësh nga bashkëqytetarët e tij, padyshim që do japin pak kohë nga koha e tyre, për të shprehur respektin dhe mirënjohjen e thellë për kontributin që ka dhënë Flamur Hoxha dhe familja e tij e madhe, jo vetëm në atë të vlerave të jetës sportive në qytetin e Memaliajt, rrethin e Tepelenës dhe më gjerë, por edhe si një ndër familjet e para memaliote, që ka punuar me përkushtim në sektore të ndryshme për ndërtimin dhe përparimin e qytetit tonë të dashur Memaliaj. Kontributi i bashkëqytetarit, Flamur Hoxha dhe i familjes së tij kanë lënë gjurmë në kujtesën e memaliotëve; si e tillë, janë bërë pjesë e historisë së këtij qyteti dhe ja shtojnë akoma më shumë vlerat.

Edmond Ismailati

26 Shkurt / New York City