Sipas legjendës, i riu Isak Njuton po qëndronte ulur poshtë një pemë molle kur një copë e këtij fruti ra mbi kokën e tij, një ngjarje e shekullit 17 që i solli atij në mendje ligjin e gravitetit.
Në realitet gjërat nuk ndodhën kështu.
Njutoni, djali i një fermeri, lindi në vitin 1642 në afërsi të Grantham, Angli, dhe hyri në Universitetin e Kembrixhit në vitin 1661.
Katër vjet më vonë, pas shpërthimit të sëmundjes së murtajës, shkollat u mbyllën përkohësisht duke e detyruar Njutonin të kthehej sërish në shtëpinë e fëmijërisë së tij, Wooldsthorpe Manor.
Pikërisht gjatë kësaj periudhe, Njutoni ndodhej në një kopsht dhe u bë dëshmitar i rënies së një molle nga pema.
Nuk ka prova nëse fruti ra në kokën e tij, por vëzhgimi i Njuton bëri që ai të ngrinte pyetjen se pse mollët binin drejt e në tokë dhe e ndihmoi atë të zhvillonte teorinë universale të gravitetit.
Në vitin 1726, Njutoni e ndau anekdotën e mollës me Ulliam Stukeley, që e përfshiu në biografinë e tij “Kujtimet e Jetës së Isak Njuton” të publikuar në vitin 1752.
Sipas Stukeley, “pas darkës, moti ishte i ngrohtë, dhe ne shkuam në oborr duke pirë çaj nën hijen e disa pemësh molle. Pikërisht aty atij i erdhi në mendje nocioni i gravitetit”.
Matematicieni dhe fizikanti i shquar vdiq në vitin 1727 dhe u varros në Uestminster Abbey.
Pema e famshme e mollës vazhdon të rritet në Woolsthorpe Manor.