Edi Ramën nuk e zë turpi
Nga Dritan Hila
Dy ditë më parë Monika Kryemadhi në një intervistë të saj, thoshte se Edi Rama do shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe po përgatitet për këtë.
Tashmë opozita e ka hedhur hapin e saj dhe ka vënë kushtet ku njëra prej tyre është zgjedhje të parakohshme.
Nëse i qëndron, nuk është çudi të ndodhi.
Vetëm se duhet të ketë parasysh disa gjëra, ku primis është se Edi Rama nuk ka ndërmend të shkojë në zgjedhje me qeveri teknike. Kaq gjë është normale pasi ai ende nuk ka një arsye që ti nënshtrohet kushteve ekstreme të opozitës.
Sa i takon përgatitjeve për zgjedhje të parakohshme që ka filluar PS, nuk ka asnjë çudi. Një parti serioze përgatitet për të gjithë skenarët. Dhe ky mund të jetë njeri prej atyre që Rama ka në mendje.
Një ditë të bukur si kryeministër, i bën mocion mosbesimi vetes, dhe i thotë Taulantit dhe Gramozit që mos ta votojnë. Rrëzon qeverinë dhe kështu çon vendin në zgjedhje. Mes kushteve të vendosura nga opozita, ky është një prej tyre.
Pas kësaj shkon në zgjedhje, dhe nëse opozita nuk merr pjesë, kjo e delegjitimon edhe praktikisht pasi humbet legjitimitetin e saj institucional. Askush pas kësaj nuk do dijë sesa vota përfaqëson realisht Basha-Kryemadhi. Nuk do jetë çudi që të jenë zgjedhjet më të ndershme dhe të certifikuara. Pa PD dhe LSI nuk do kishte asnjë arsye për parregullsi. Dhe pas kësaj Edi Ramën nuk ka pse ta zërë turpi. Do ketë një mandat katërvjeçar dhe pa asnjë oponencë që ta rrezikonte.
Ndaj do ishte e udhës që edhe opozita të përgatitej për zgjedhje, të cilat nuk kanë lidhje fare me studiot televizive. Edi Rama ka shumë vese dhe difekte.
Por është punëtor dhe koha po tregon se është strategjisti më i mirë deri më sot nga gjithë udhëheqësit në lojë. Është mirë që opozita mos ta harrojë këtë./dritare.net