Aktualitet Arrestohet ish-boksieri, pjesëtar i grupit “Bajri”, i sekuestrojnë BMW Seria 3

Arrestohet ish-boksieri, pjesëtar i grupit “Bajri”, i sekuestrojnë BMW Seria 3

Ish-boksieri i Vllaznisë së Shkodrës, Nelson Hysa, është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda si pjesë e grupit kriminal Bajri.

Policia e shtetit njoftoi se në vazhdim të operacionit “OAZ”, në funksion të procedimit penal nisur gjatë vitit 2018, është ekzekutuar urdhëri i arrestit me burg për shtetasin 35 vjeçar Nelson Hysa, lindur dhe banues në Shkodër.

“N. H., 35 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër, ishte person i shpallur në kërkim në shtator 2018, gjatë operacionit “OAZ”, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Organizata kriminale, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive, e kryer në bashkëpunim”, për qëllime të fitimit pasuror”, informoi policia e Tiranes.

Ndaj tij Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Renda Tiranë, kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest ne Burg”

Me qera tek Komuna e Parisit

“Ai u kap në një banesë të marrë me qera në zonën e Komunës së Parisit Tiranë, gjatë operacionit të zhvilluar mëngjesin e sotëm nga Njësia Hetimore Qendrore në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Njësia Hetimore Qendrore për të lokalizuar vendndodhjen e personit të shpallur në kërkim ka bashkëpunuar me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe Shkodër.”

Gjatë veprimeve proceduriale u sekuestrua një automjet “BMW Seria 3”. Materialet proceduriale shtesë iu referuan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë.

Atentati

Në maj 2017, Nelson Hysa i shpëtoi një atentati në Shkodër ku mbeti i plagosur.

Operacioni Oaz

Në shtator të vitit 2018 Krimet e Rënda urdhëruan arrestimin e 11 anëtarëve të grupit Bajri pasi ndaj tyre ishin ngritur akuza për 2 vrasje të dokumentuara që prej vitit 2001, prodhim dhe armëmbajtje pa leje, organizimi i llotarive sportive të palejuara, pastrim parash, gjobëvënie, prodhim dhe shitje narkotikësh. dy prej të arrestuarve ranë në pranga në Roterdam të Holandës në të njëjtën kohë me aksionin që u zhvillua në Shqipëri.

Mes të arrestuarve në Shqipëri ishte edhe Safet Bajri një nga organizatorët e grupit ndërsa Enver Bajri, i dyshuar si drejtues i grupit kriminal ra në pranga më 27 tetor në një aksion të Interpolit në Spanjë. Policia e shtetit ka deklaruar se grupi Bajri është i dyshuar dhe po hetohet intensivisht për disa nga ngjarjet e vitit të kaluar në Shkodër.

Burimet e policisë kanë thënë se grupi “Bajri”, në bashkëpunim edhe me grupe të tjera kriminale, brenda dhe jashtë Shqipërisë, dyshohet se trafikonin lëndë të forta narkotike në shtete evropiane dhe më pas e përfituara nga ky aktivitet investoheshin brenda vendit