Kryetari i Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, i ka dërguar një letër ministrit Klosi dhe ministres Balluku ku kërkon refuzimin e kërkesës së një kompanie për ndërtimin e një TEC-i me gaz në afërsi të qytetit.
“Ju kërkoj të mos aprovoni vlerësimin e ndikimit në mjedis pasi investitorët nuk kanë paraqitur asnjë garanci për një bilanc pozitiv të ndotjes”, thuhet ndër të tjera në letër. Kërkesa vijon me argumentin se projekti është shumë afër qytetit dhe në toka të frutshme bujqësore.
“Qëndrimi kundër i Bashkisë së Korçës ka qenë i qartë që në raportin e përgatitur për Komitetin e Investimeve Strategjike në vitin 2017 ku Bashkia Korçë është shprehur JO me arsyetimin e afërsisë me qytetin”, vijon letra e kryebashkiakut të Korçës.
Më pas citohet se ky qëndrim është mbështetur edhe nga Ministria e Bujqësisë, sipas së cilës, projekti në fjalë cenon funksionalitetin e fushës së Korçës nga fshati Barc deri në Zemblak.