Industria vendase e blojës po punon me 40% të kapacitetit aktualisht, për shkak se mielli serb pa standarde që po importohet nga Kosova po konkurron me çmime qesharake. Administratorët e fabrikave Bloja dhe Atlas japin alarmin se po punojnë me humbje dhe siguria ushqimore po cenohet rëndë. Fitimet e përpunueseve kanë rënë ndjeshëm, ndërsa Ministria e Bujqësinë zgjodhi heshtjen përballë këtij skandali.
Blerina Hoxha -Monitor
Fabrika e prodhimit të miellit Atlas, një nga më të mëdhatë në vend, po punon së fundmi me vetëm 40% të kapacitetit. Aksionerët e saj kanë investuar 21 milionë euro në teknologji bashkëkohore për të prodhuar rreth 300 tonë miell në ditë, por përgjatë vitit 2016 është shfrytëzuar vetëm një e treta e kapacitetit. Dimitrios Thomoglou, aktualisht administrator, por edhe një nga aksionerët kryesorë të fabrikës, tha se investimi jo vetëm që nuk justifikon vetveten, por ndërmarrja po subvencionohet nga fitimet e aktiviteteve të tjera.
Pothuajse në të njëjtën situatë është e gjithë industria e blojës në vend. Adi Haxhiymeri nga Fabrika Bloja, e bën gjendjen edhe më alarmante, duke pohuar se jo vetëm aktiviteti i tyre ka prekur fundin, por siguria e konsumatorëve është cenuar rëndë. Shqetësimi i industrialistëve shqiptarë të blojës ka si shkak importin nga Kosova të miellit serb që po hyn në Shqipëri me çmime gati 20% më të larta se prodhimet e fabrikave tona. Sipas tyre, ky miell nuk plotëson standardin minimal për proteinat (12%), futet edhe kontrabandë, nuk kontrollohet nga doganat dhe ka manovra shmangie taksash që nisin që nga importi prej Serbisë.
Z. Thomoglou i fabrikës Atlas pohon se mielli nënstandard nga Kosova ka zënë gati 50% të tregut të prodhimit të bukës në vend. Ai pohoi se kjo dominancë nuk mund të verifikohet nga shifrat zyrtare, pasi shumica e këtij produkti futet kontrabandë me makina personale. Prodhuesit e miellit japin alarmin se mielli serb po bën kërdinë në treg dhe po cenon rëndë sigurinë e konsumatorëve.
Buka është ende ushqim bazë në Shqipëri, pasi konsumi për person në ditë llogaritet në rreth 300 gramë dhe si i tillë çon në kequshqyerje dhe në anemi, sidomos te fëmijët. Fortifikimi i miellit nënkupton një nivel të lartë proteinash në miell dhe është elementi kryesor që Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Organizata për Mbrojtjen e Fëmijëve (UNICEF) lobojnë për të siguruar një jetë më të shëndetshme në vendet e varfra.
Prodhuesit vendas pohojnë se mielli nga Kosova ka një nivel proteinash 7 deri në 10% maksimumi, ndërsa fabrikat shqiptare të blojës aplikojnë standardin 13% për proteinat, në të kundërt paralizohen. Ky problem i hershëm për prodhuesit shqiptarë duket se tashmë ka arritur kulmin, pasi kriza ekonomike i ka çuar gjithnjë e më shumë prirjet e konsumatorëve drejt produkteve të lira. Ndaj mielli i Kosovës ka avancuar në treg dhe kontrolli i tij nga autoritetet shqiptare ka probleme të shumëfishta që nuk lidhen vetëm me standardin.
Nga të gjitha këto zhvillime, industria shqiptare e përpunimit të miellit me rreth 100 milionë euro investime është në kolaps, teksa konsumatorët po blejnë një produkt që nuk është i denjë për ta. “Kur buka masive (kilogram) shihet me 50-60 lekë, është qartësisht e verifikueshme se nuk plotëson standardin”, – pohoi Irahim Yzeiri nga linja e prodhimit të brumërave Someg. Duke renditur të gjitha kostot nuk ekziston asnjë mundësi që një bukë të kushtojë deri në 60 lekë dhe të ketë brenda standardin. Produkti final e tregon abuzimin qartë tha Yzeiri i cili pohoi se kontrolli në produktet e brumërave duhet të forcohet.
Standardet e miellit, problem i vjetër, shqetësim i ri
Në vitin 2014, Shqipëria dhe Kosova u përfshinë në një konflikt të ri tregtar për shkak të miellit. Shoqata e Përpunuesve të Miellit lajmëroi zyrtarisht nëpërmjet një letre të hapur drejtuar kryeministrit falimentin për shkak se, mielli jashtë standardeve që importohej nga Kosova po falimentonte industrinë vendase. Biznesi shqiptar i përpunimit pretendonte se standardet e proteinës në miellin kosovar ishin pak më shumë se 9%, ndërkohë që fabrikat shqiptare prodhojnë me standard 12% dhe për rrjedhojë, me një kosto më të lartë.
Adi Haxhiymeri, kryetar i Shoqatës së Industrisë Përpunuese të Miellit tha se, qeveria shqiptare, duke ulur me udhëzim standardet e proteinës në miell, e ka favorizuar importin dhe çon në faliment të pashmangshëm industrinë e vendit. Nga ana tjetër, industria e miellit e Kosovës pretendoi se, qeveria e Shqipërisë po diskriminonte mallrat kosovare në tregjet e saj. Madje në këtë debat u përfshi edhe analisti Baton Haxhiu, i cili iu kthye kundër qeverisë shqiptare në mbrojtje të kompanisë nga Kosova, Devolli.
Haxhiymeri thotë se, në këtë betejë ka fituar Kosova. Ai tha se industria e përpunimit të miellit ka pësuar rënie 40% në pesë vitet e fundit dhe kjo reflektohet edhe në rënien e prodhimit të grurit në mbi 100 tonë vitin që shkoi.
Por duket se beteja ndërmjet dy vendeve u fashit pasi Ministria e Bujqësisë i dha karar me një mekanizëm që aplikoi për proteinat. Autoritetet shqiptare lejuan që mielli për biskota të importohej me standardin e proteinës 9%, ndërsa mielli për bukë të futej me standardin 12%.
Serbia subvencionon, deformon tregun
Haxhiymeri pohon se Serbia ka shumë vite që zbaton një politikë shumë të egër, për të cilën u shqetësua edhe Greqia, edhe Maqedonia, edhe Mali i Zi etj. Ato bënë një subvencionim që është në kundërshtim me çdo marrëveshje të nënshkruar deri më sot për sa i përket miellit. Po të shkosh në Serbi, diferenca nga mielli në grurë, kushdo që të shkojë të blejë, është 10 euro, që duhet të jetë minimumi 100 euro, sepse është puna, ambalazhi, himja etj., shpjegoi ai. “Kjo ka bërë që të pastrohen gjithë magazinat e Serbisë, gjithë rezervat e Serbisë, nuk ka ngelur grurë mizerabël pa hyrë nga atje dhe të vetmet shtete ku ato po ecin fort, sepse të gjitha të tjerat reaguan, janë Bosnja, Kosova dhe Shqipëria”. Rruga që bën gruri serb momentalisht për të ardhur deri këtu ose është direkt nga mullinjtë, se janë mullinj jo fabrika ato atje, ose si lëndë e parë në Kosovë. Haxhiymeri thotë se qeveria duhet të bëjë ndërhyrje emergjente sepse fabrikat, që kanë bërë secila nga 20 milionë euro investim dhe ato e dinë si i kanë bërë, nuk po përballojnë dot kreditë e debitorët. Ai tha se Kosova respekton standardet për tregun e vet. Për shembull, artifica e fundit që doli ishte që atje lejohet të eksportohet miell vetëm i fortifikuar, me hekur, zink, etj., që ti të mos kesh kurrë mundësi ta çosh ose po e çove kap një kosto të tillë që nuk arrin dot. Ndërkohë që ne këtu nuk i respektojmë fare”. U bënë vite që në Shqipëri hyn grurë me 13,5% proteinë, ndërkohë që mielli i tyre është 90% pa proteinë. 10,5% proteinë është për kafshët”, – tha Haxhiymeri.
Duke qenë se standardi i proteinave për miellin e biskotave është më i ulët se ai i bukës, një pjesë e miellit që i dedikohet furrave të bukës në Shqipëri importohet nga Kosova si miell biskotash. Thomoglou i fabrikës Atlas pohoi se vetëm në pikat doganore me Kosovën futen mbi 10 mijë tonë miell në muaj për biskota kur në realitet në tregun e brendshëm prodhohen 250-300 tonë biskota në muaj, pjesa tjetër bëhet bukë. Ai tha se ka laboratorë dhe makineri të posaçme në fabrikë që masin proteinat dhe niveli i tyre në miellin e Kosovës lënë shumë për të dëshiruar. Të njëjtën situatë pohoi edhe Haxhiymeri, sipas të cilit, mielli i biskotave është duke u përdorur masivisht për bukë.
Në një studim të posaçëm për rëndësinë që ka fortifikimi i miellit për shëndetin, UNICEF ka vënë në dukje se në kohë krizash, konsumatorët do të hanë më pak ushqime “luksi” dhe do t’i kthehen në vazhdimësi bukës së zakonshme shqiptare. Në këtë situatë, ndryshimet në strukturën e dietave dhe reduktimet në shumëllojshmërinë dietore e bëjnë edhe më të rëndësishme fortifikimin e miellit të grurit për të minimizuar reduktimet e mundshme në marrjen e mikroelementeve ushqyese të nevojshme. UNICEF i ka rekomanduar qeverisë shqiptare që me të drejtë të kërkojë që të gjitha sasitë e miellit të importuar në Shqipëri të jenë të fortifikuara në përgjigje të plotësimit të standardeve të vendit. Kërkesat për standardin nuk futen në Barrierat Teknike për Tregtinë (BTT) sipas dy marrëveshjeve të OBT. Sipas këtyre marrëveshjeve, çdo vend mund të miratojë dispozita që mund të kufizojnë tregtinë për arsye legjitime; arsyet legjitime përfshijnë, ndërmjet të tjerave, mbrojtjen e shëndetit të njerëzve.
Mashtrimi me tarifat doganore
Prodhuesit shqiptarë të miellit pohojnë se tregtarët e Kosovës e importojnë lëndën e parë për blegtorinë nga Serbia me tarifa dhe taksa zero. Duke shfrytëzuar këtë lehtësim, ata importojnë grurë të standardit për blegtorinë nga Serbia, e bluajnë në fabrikat e Kosovës dhe më pas e eksportojnë në Shqipëri. Në këtë mënyrë, tregtarët e blojës në Kosovë janë duke fituar shumë, pasi duke blerë lirë grurin nga Serbia, fitojnë edhe në taksa, pasi nuk paguajnë TVSH. Në këtë mënyrë, ky miell hyn shumë herë më lirë se importet e këtij produkti nga vendet e tjera. Duke qenë se kjo manovër u shtri gati në tre vite, mielli serb ka pushtuar tregun. Një paketim miell në një thes 20 kilogramë në tregun me pakicë të Kukësit kushton 500 lekë më lirë se në Tiranë. Ndaj shumë tregtarë, pasi kanë pikasur këtë diferencë, furnizohen në qytetin verilindor, duke e çuar miellin pa standarde të Serbisë deri në Jug të vendit.
Importi i grurit në rënie, Serbia furnizuesi më i madh
Situata kaotike në tregun e blojës pasqyrohet edhe në ecurinë e importit të drithërave. Në vitin 2016, sipas të dhënave të INSTAT, importet e drithërave ranë me 7% krahasuar me një vit më parë. Ky është i dyti vit radhazi ku importet kanë shënuar rënie. Fabrikat e blojës thanë se rënia i dedikohet hyrjes së miellit nga Kosova, i cili po plotëson dukshëm nevojat për konsumin vendas. Shqipëria importon mesatarisht në një vit 350 deri në 355 mijë tonë në një vit, teksa në vitin 2016 importet ranë në 320 mijë tonë, teksa fabrikat pohojnë se kanë mijëra tonë stoqe të pashitura nga prodhimi aktual.
Të gjendur në një situatë të vështirë për të mbuluar humbjet që po krijojnë importet e lira, edhe importuesit shqiptarë kanë nisur të përshtaten. Ata vit pas viti kanë ulur importet e drithërave nga Italia, Spanja dhe Rusia dhe kanë nisur të furnizohen nga Serbia.
Në vitin 2016, Serbia ishte furnizuesi më i madh i tregut vendas me drithëra, nga i cili u importua 44% e totalit të importeve me 143 mijë tonë. Më 2015, ishte Rusia furnizuesi i parë që zinte rreth 60% të totalit, teksa shihet se janë ulur dukshëm importet nga Italia.
Gruri serb dhe rus, dy herë më i lirë se ai italian
Serbia dhe Rusia furnizojnë mbi 87% të tregut shqiptar me drithëra, me çmime dy herë më të lira se vendet e tjera partnere që kanë 13% të tregut.
Një ton grurë nga Serbia kushton, sipas të dhënave nga INSTAT 206 euro, ndërsa e njëjta sasi nga Rusia është 188 euro. Shihet se po një ton grurë nga Italia kushtoi 666 euro dhe nga Spanja 756 euro mesatarisht për 2016. Importet nga këto dy vende nuk zënë as 2% të totalit. Gruri spanjoll dhe ai italian nuk përdoret për bukë, por për pjesë të tjera të industrisë së brumërave që kërkojnë një kualitet më të lartë.
Bien të ardhurat dhe fitimet në fabrikat e blojës
Biznesi i blojës në vend është përkeqësuar vitet e fundit. Të dhënat e bilanceve në tre prodhuesit më të mëdhenj tregojnë për një rënie të ndjeshme të fitimeve në tre vitet e fundit. Fabrika Bloja, një nga tre operatorët e mëdhenj, doli me humbje 79 milionë lekë në vitin 2015 nga 14.5 milionë lekë fitime që kishte në vitin 2014. Rënie të xhiros dhe fitimeve panë edhe operatorët e tjerë të tregut. Edhe fabrika tjetër e blojës Atlas raportoi humbje 128 milionë lekë më 2015, teksa më 2014 kishte raportuar fitim 108 milionë lekë. Atlas ka parë rënie sistematike të xhiros në tre vitet e fundit. Edhe fabrika tjetër Miell Tirana është në të njëjtën situatë. Fitimet e fabrikës, sipas të dhënave të bilancit, panë ulje me 96% më 2015. Por siç pohojnë vetë administratorët e këtyre aktiviteteve, situata paraqitet edhe më dramatike në vitin 2016, pasi mielli serb nën standarde ka “pushtuar” tregun vendas.
Aktualisht fabrikat e blojës në vend punojnë në më pak se 40% të kapacitetit. Sektori vuan nga mbiinvestimet, pasi edhe në ditët më të mira, kapacitetet janë shfrytëzuar vetëm 70%. Industria ka investuar mbi 100 milionë euro, nga të cilat, sipas Unionit të Prodhuesve të Miellit, gjysma e tyre janë kredi në bankat e nivelit të dytë. Ndaj çdo përkeqësim në biznesin e blojës do të reflektohet në kreditë bankare.
Kapacitetet e bluarjes variojnë nga 150 deri 400 tonë në 24 orë, ku fabrikat punojnë me kapacitet të plotë apo të përafërt në një periudhë kohe të kufizuar në varësi me kushtet e tregut. Fabrikat e vogla deklarojnë një nivel shfrytëzimi nga 40-60% ndërsa fabrikat e mëdha deklaronin një kapacitet shfrytëzimi që varijonte nga 40 deri 80%, në varësi të periudhës.
Shifrat e dhëna nga industria e blojës tregojnë se konsumi i miellit në Shqipëri është 360 gramë në ditë për person, kurse konsumi mesatar i miellit është 400,000 tonë në vit. Sasia totale e miellit që bluhet në një vit është 350,000 tonë, pjesa tjetër është miell importi. Nga 194 fabrika mielli, vetëm 20 fabrika kanë kapacitet prodhimi mbi 20 tonë në ditë dhe 60% e konsumit kombëtar realizohet nga 4 fabrika mëdha.
Liberalizimi i tregut të energjisë, një goditje tjetër për blojën
Industria e përpunimit të miellit do të përballet edhe këtë vit me rritje të kostove të aktivitetit që po vijnë nga vlera më e lartë e furnizimit me lëndë të parë. Fabrikat e blojës, ato të mëdhatë, furnizohen nga rrjeti 35 kilovolt dhe për pasojë, duhet të gjejnë energji në tregun e lirë dhe do të shkëputen nga rrjeti i OSHEE-së. Përveç çmimit në tregun e lirë, bizneset e miellit do të paguajnë tarifa të posaçme për rrjetin e shpërndarjes, të cilat për konsumatorët 35 kilovolt janë 1.5 lekë mbi çmimin e energjisë dhe për bizneset që konsumojnë në 20 kilovolt janë 3.9 lekë mbi çmimin e energjisë.
Teksa entet publike kanë bërë gati të gjithë infrastrukturën e sistemit matës dhe bazën rregullatore për t’iu përgjigjur liberalizimit, bizneset që e pësojnë nga ky proces nuk janë gati. Adi Haxhiymeri, nga fabrika e përpunimit të miellit Bloja, pjesë e bizneseve që furnizohen nga rrjeti 35 kilovolt tha se, ende nuk ka gjetur një furnizues energjie nga tregu privat. I gjetur mes disa problematikave të tjera si rritja e çmimit të gazit dhe konkurrenca e pandershme e miellit nga Serbia, Haxhiymeri tha se ende nuk ka hulumtuar për një furnizues energjie. Ai pohoi se do të ishte shkatërrimtare për industrinë përpunuese nëse kostot do të rriteshin më tej.
Në këto kushte, konsumatorët e mëdhenj të energjisë do të dalin në një treg jo të plotë. Pasi nga krahu tjetër, prodhuesit privatë (HEC-et koncesionare) që presupozohet se do të furnizonin, pohojnë se e kanë të pamundur.
Ndërsa Dimitrios Thomoglou, administrator i fabrikës së miellit Atlas, tha se energjia elektrike është kryesore në aktivitetin e blojës, ndaj i është dashur të thellohet në këtë drejtim. Duke parë përvojat në vendet fqinje, ku tregu është liberalizuar më shpejt, bashkë me disa investitorë të tjerë, ai mori iniciativën për ndërtimin e dy HEC-eve të vogla në Shqipëri, edhe pse nuk do të mund të përdorte energjinë e prodhuar prej tyre. “Ka pasur raste që na është ndërprerë energjia për më shumë se 5 orë. Po të ndodhte kjo në Greqi, ngjarja do të ishte në krye të lajmeve”, thotë z. Thomoglou. Ai pohon se me liberalizimin mund të blejë energjinë e prodhuar nga HEC-et e veta me çmim mjaft të lirë dhe do të paguajë vetëm tarifat për përdorimin e rrjetit të shpërndarjes. Por teksa ai ka kohë që i ka shërbyer daljes në tregun e lirë të energjisë, nuk është lajmëruar se tregu ligjërisht është funksional. Ai mund ta kishte përdorur energjinë e HEC-eve të tij që nga 1 korriku, por ende nuk e ka bërë, pasi nuk ishte formuar nga institucionet e zbatimit të ligjit.
Procesi i liberalizimit të tregut të energjisë në Shqipëri po kalon në një terren të brishtë, pasi dalja në treg e bizneseve është bërë pa krijuar tregun dhe modelin e tij.
Fëmijët në Shqipëri përballen me shumë sfida që ndikojnë tek shanset e tyre për një fillim më të mirë në jetë dhe që ulin mundësitë e tyre të bëjnë një jetë produktive, ashtu si të rriturit.
UNICEF vlerëson se, me gjithë shkallën relativisht të ulët të vdekshmërisë nën 5 vjeç dhe nivelit të mirë të ushqimit me gji në muajt e parë të jetës, fëmijët shqiptarë përballen me probleme të shumta të të ushqyerit, duke u shoqëruar edhe me një shkallë të konsiderueshme prapambetje në gjatësi dhe mbipeshë, diferenca në gjendjen shëndetësore dhe të ushqyerit, si dhe mungesa në mikroelemente (IDD – pamjaftueshmëria jodike dhe IDA – mungesa e hekurit). Shqipëria mbetet një nga vendet më të varfra në Europë. UNICEF pohon se 19% e fëmijëve nën moshën 5 vjeç paraqesin prapambetje ne rritje. Prapambetja në rritje është tregues i kequshqyerjes dhe është më i zakonshëm në zonat malore (28%) se në zonat urbane të Tiranës apo zonat qendrore, 5% e fëmijëve nën moshën pesë vjeç janë nën peshë për moshën e tyre. 22% e fëmijëve nën pesë vjeç janë mbi peshë. Mikroelementet janë vitamina dhe
minerale të nevojshme për një shëndet të mirë
. Kequshqyerja me mungesa të mikroelementeve dhe substancave ushqyese është evidentuar si një problem i shëndetit publik në Shqipëri. Organizata në mbrojtje të fëmijëve thotë se në Shqipëri, 17% e fëmijëve nga 6-59 muaj vuajnë nga nivele të ndryshme të anemisë. Prandaj organizata ka vënë në dukje se anemia vjen nga mungesa e hekurit. Mbetet me shumë rëndësi fortifikimi i vazhdueshëm i miellit si bazë i ushqimeve për konsum të gjerë. UNICEF vë në dukje se rritja e nivelit të proteinave në miell krijon mundësi të mëdha për përmirësimin e gjendjes shëndetësore dhe të ushqyerit të fëmijëve dhe grave. Raporti i Marrëveshjes së Kopenhagën (2008) vë në dukje se përgjithësisht, raporti përfitim-kosto në lidhje me fortifikimin e ushqimeve (hekur dhe jod) është 9,5:1.
Sipas të dhënave nga operatorët në përgjithësi, në fabrikat shqiptare prodhohen lloje të shumta mielli nga të gjitha fabrikat, kryesisht tipi 00, tipi 40, tipi 45, tipi 50, tipi 60, tipi 70 dhe krunde. Çdo fabrikë prodhon të paktën 4 nga llojet e miellrave të përmendur. Çmimet variojnë nga 60 deri 65 lekë/kg për tipet 00 deri 3 dhe deri 60-80 lekë për miellrat me ekstraktim të lartë. Çmimi i krundeve ishte relativisht i qëndrueshëm nga 28 deri 30 lekë/kg. Ndërsa fabrikat e vogla ofrojnë miell vetëm në thasë 50 kg, fabrikat e mëdha ofrojnë paketime të madhësive të ndryshme. Sipas përllogaritjeve të UNICEF, kosto e fortifikimit (rritja e vlerave ushqyese) llogaritej dy dollarë për tonë ose 0.2 USD për person në vit. Fabrikat shqiptare mund të prodhojnë minimumi 270,000 tonë miell të fortifikuar në vit, duke shfrytëzuar vetëm 70% të kapacitetit të tyre.
Kostot miliona euro nga kequshqyerja
Në seminarin rajonal organizuar nga UNICEF mbi Fortifikimin e Miellit pak vite më parë, u bë një përpjekje për hartimin e një modeli për kosto/përfitimet e procesit. Ky model është ripunuar në vazhdimësi, duke shfrytëzuar edhe të dhëna të tjera të nxjerra ndër vite.
Kosto e të gjithë treguesve të kequshqyerjes në Shqipëri llogaritet të jetë mbi 100 milionë euro, nga e cila 65% mund t’i atribuohet “Potencialit të humbur për të ardhmen” dhe 20% “Rendimentit aktual të humbur”. Sipas të dhënave të INSTAT, PBB e Shqipërisë është afërisht 10 miliardë euro. Kështu, gjithë treguesit e kequshqyerjes barazohen me rreth 1% humbje të PBB. Mundësia e humbur për të ardhmen është shumë e rëndësishme, sepse kjo është një humbje që rritet nga viti në vit (me rritjen e popullsisë) për ekonominë shqiptare.