Showbiz Rrëfimi i Ledri Vulajt: Si më rrahu nga xhelozia i dashuri i...

Rrëfimi i Ledri Vulajt: Si më rrahu nga xhelozia i dashuri i Luana Vjollcës

Mediat e Kosovës rikthejnë vëmendjen te sherri më i bujshëm i vitit 2012 në Prishtinë, kur menaxheri i VIP-ave, Krenar Çoçaj, bashkë me një djalë tjetër të quajtur Gazmend Mirena, u paraqitën në Gjykatë për t’u përballur me akuzën e rrahjes së reperit, Ledri Vula.

Në padinë e hartuar nga prokurorja Besa Limani, natën e 7 qershorit të vitit 2012, Gazmend Mirena dhe Krenar Çoçaj (ish-i dashuri i këngëtares Dafina Zeqiri, dhe i dashuri aktual i Luana Vjollcës), sulmuan dhe rrahën Ledri Vulën. Pas katër vitesh nga ngjarja, ende nuk është mbyllur çështja gjyqësore që pritet të dënojë fajtorin. Reperi kosovar Vula dhe biznesmeni që menaxhon disa nga këngëtarët e rinj të Kosovës, Çoçaj, u përballën në sallën e gjyqit para pak ditësh, ku Vulaj rrëfeu dhe një herë natën e horronit.

RRËFIMI I LEDRI VULËS: SI MË RRAHËN KRENAR ÇOÇAJ DHE MIKU I TIJ NË PRANI TË GETOAR SELIMIT

Krenar Çoçaj bashkë me Gazmend Mirenën akuzohen se kanë sulmuar Ledri Vulën duke e nxjerrë nga makina, në njërën nga rrugët kryesore të Prishtinës. Nga ky sulm, Ledri Vula kishte marrë lëndime trupore. Sipas aktakuzës, Gazmend Mirena e ka goditur Vulën me dorezën e revoles në vetullën e majtë dhe në kokë, ndërsa Krenar Çoçaj me shufër hekuri në shpinë dhe në kokë.

Të akuzuarit, Mirena dhe Çoçaj, kanë kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, ndërsa Mirena akuzohet edhe për veprën penale të përdorimit të armës pa leje, mjet ky i cili shërbeu për rrahjen e reperit. Në seancën e fundit gjyqësore mes palëve, dy të akuzuarit Mirena dhe Çoçaj nuk e pranuan fajësinë për asnjërën nga veprat penale.

Ndërkaq, përfaqësuesi i Vulës, Tomë Gashi, është i bindur se ka provat e duhura në mënyrë që gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor të vërtetohet fajësia e të akuzuarve, pasi sipas tij, në bazë të deklaratës së Vulës, të akuzuarit janë identifikuar si sulmuesit e tij. I dëmtuari Ledri Vula doli para trupit gjykues duke rrëfyer edhe një herë ngjarjen e natës së 7 qershorit të vitit 2012.

Ai tregoi se në natën kritike kishte shkuar me Getoar Selimin në studion e “BabaSstars” për të dëgjuar incizimin e një kënge të këngëtares Ronela Hajati. Në studio ishin takuar me Fidan Demollin, e më pas që të tre së bashku ishin larguar nga studio dhe kishin shkuar në drejtim të makinës, e cila ishte e parkuar te kompleksi “Qafa” në Prishtinë. Sipas Ledri Vulës, në momentin që kanë hyrë në makinë, Getoar Selimi i kishte bllokuar dyert në mënyrë elektronike, ndërsa kur Gazmend Mirena i kishte bërtitur “Dil jashtë, dil jashtë”, ai “nga hutimi i kishte zhbllokuar dyert”.

“Arsyeja pse kam vendosur të dal nga makina, të them të drejtën, është sepse Gazmendin e njihja, dhe nuk ma kishte marrë mendja, që do të më godiste me të parën”, tha Vula. “Kur më ka goditur Gazmendi, e di që më janë errur sytë dhe instiktivisht i kam vendosur duart në kokë”, tha Vula. Ai tregoi më tej se Çoçaj dhe shoku i tij nuk i kishin ndalur goditjet.

“Në një moment janë ndalur dhe unë jam ngritur në këmbë dhe kam tentuar të largohem, por më kanë goditur edhe një herë nga pas. Pasi kam filluar të vrapoj, ata më kanë ndjekur. Por kujtoj që më ra telefoni nga xhepi, dhe jam kthyer të marr telefonin, ndërsa gjaku më rridhte vazhdimisht. Pastaj e kam parë Getoarin duke tentuar që t’i ndalonte, pasi ata tentonin që të më sulmonin nga pas”, shtoi Vula.

LEDRI: KRENAR ÇOÇAJ MË RRAHU PËR DAFINA ZEQIRIN, U BË XHELOZ QË ISHTE BËRË E DASHURA IME

Në pyetjen që ju bë në Gjykatë, se a ishte në dijeni se çfarë motivi kishte pasur Çoçaj që të ushtronte dhunë ndaj tij, Vula përmendi këngëtaren Dafina Zeqiri, si motiv xhelozie.

“Motivi i sulmit ishte Dafina, sepse pas Krenarit unë kam qenë në lidhje me të”, tha Vula. Në këtë seancë gjyqësore si dëshmitarë okularë, ishin edhe Getoar Selimi dhe Fidan Demolli. Këta të fundit nuk u paraqitën në gjykatë për dhënien e dëshmisë, pasi sipas informatave që trupi gjykues kishte marrë nga stacioni policor, Getoar Selimi rezulton që jeton në Shqipëri, ndërsa dëshmitari tjetër, Fidan Demolli, gjendet jashtë vendit në Gjermani.

Mospraqitja e tij në gjykatë për të dëshmuar është cilësuar nga mediat thjesht një pretekst, pasi në fakt i shmanget dëshmisë, që mund të jetë kundër mikut të tij më të ngushtë, Krenar Çoçajt, dhe me të cilin, sipas mediave të Kosovës, mund të bëhen baxhanakë shumë shpejt./Panorama