Rio Ferdinand e ka quajtur Cristiano Ronaldon një “zot të gjallë të futbollit”, pasi ylli i Juventusit shënoi “hat-trick” ndaj Atletico Madrid, të martën. Duke ditur disavantazhin 2-0 të ndeshjes së parë të raundit të dytë të Ligës së Kampionëve, bardhezinjtë kishin nevojë për tre gola në kthim, pa pësuar asnjë të tillë.
Dhe ia dolën, falë Ronaldos, që shënoi tri herë për të nënshkruar një përmbysje të pabesueshme 3-0 në stadiumin “Allianz”. Për pasojë, Juventusi arrin në çerekfinale, nëpërmjet një rezultati total prej 3-2. Ronaldo tani është në përputhje me rekordin e “hat-trick” të Ligës së Kampionëve, të vendosur nga Lionel Messi.
Duke folur për “BT Sport”, pas ndeshjes, Ferdinand u shpreh i mrekulluar nga paraqitja e 34-vjeçarit: “Ai është një zot i gjallë i futbollit, është madhështore ajo që po bën. Në Ligën e Kampionëve ka çdo rekord, që mund të imagjinoni. Ai është rekordmeni i përbashkët i “hat-trick” me Messin. Shënoi tre gola, duke thënë: ky jam unë! E bëri këtë kundër një ekipi, si Atletico Madrid, i cili është i njohur për mbrojtje të pabesueshme”.
Ronaldo kishte përjetuar një fushatë të zbehtë të Ligës së Kampionëve, përpara mbrëmjes së martë, pasi kishte shënuar vetëm një gol në gjashtë ndeshje, me fanellën bardhezi. E marta e pa të plotë golashënuesin më të mirë të Ligës së Kampionëve, kur e tërhoqi “Zonjën e Vjetër” drejt çerekfinales së garës.
Juve bashkohet në raundin pasardhës të Champions-it me Manchester City, Manchester United, Tottenham, Ajax dhe Porto, të kualifikuar tashmë, në pritje të dy skuadrave të tjera çerekfinaliste.