Pak minuta pasi deputeti Lefter Koka deklaroi se vijon të jetë pjesë e partisë, vjen reagimi i kësaj të fundit.
Zyra e shtypit e LSI publikon vendimin që mban datën 22 shkurt, nëpërmjet të cilit thuhet se çregjistrohet çdo anëtar dhe kandidat i cili thyen vendimin e grupit parlamentar për djegien e mandateve të deputetëve.
Sakaq Koka i cili i doli kundër Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke mos e djegur mandatit foli për herë të parë ditën e sotme, nga ambientet e jashtme të Parlamentit.
Ai tha se vendimi i tij është i ndryshëm nga i grupit parlamentar, por shtoi se vijon të përfaqësojë LSI.
“Ne vërtetë propozohemi nga një forcë politike sepse Kodi Zgjedhor është i tillë, por ne në Parlament përfaqësojmë veten. Jemi kthyer qesharak për shkak të kodit”, u shpreh Koka.
Ai tha se duhet riparë Kodi Zgjedhor duke u shprehur i gatshëm për të votuar çdo ndryshim që garanton përfaqësimin e qytetarëve.
Po ashtu ai tha se marrëdhëniet me kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi dhe drejtuesit e partisë i ka patur shumë të mira.
Në seancën e sotme parlamentare u betuan Elda Hoti e LSI, Erdiola Braha e LSI, Edlira Hyseni e LSI dhe Lefter Maliqi, Majlinda Halilaj, Ligoraq Karamelo, Alban Zenelin nga radhët e Partisë Demokratike.
Ndërkohë javën e kaluar morën mandatin në KQZ dhe më pas u betuan në Kuvend, Edmond Rushiti, Ylli Shehu, Enver Roshi dhe Ediola Braha në radhët e LSI.
Kujtojmë se qysh në krye të herës Lefter Koka i LSI refuzoi të djegë mandatin, ashtu si Myslim Murrizi dhe Rudina Hajdari e PD.